BRUKSEL, 18 mars /ATSH-AFP/ – Një pëllumb postier i rritur në Belgjikë, i famshëm në garat me pëllumba, u shit të dielën në një ankand on line për 1,25 milionë euro, duke u renditur si shpendi më i shtrenjtë në botë i kësaj specieje.
Ishte web-i i specializuar ‘’Pigeon Paradise’’ (Pipa) i cili njoftoi rekordin botëror të Armandos, pëllumbi flamand mashkull i fermës së Joël Verschoot, një nga më të famshmit në vend.
‘’Askush nuk e priste që të kalohej pragu magjik i një milion eurove. Shuma finale e shitjes është 1 252 000 euro’’, thekson Pipa pa specifikuar identitetin e blerësit.
Sipas agjencisë së lajmeve ‘’Belga’’, bëhet fjalë për një shtetas kinez, i cili me siguri do ta përdorë shpendin për qëllime riprodhimi, për të shtuar numrin e kampionëve të rinj.
Interesi i koleksionistëve kinezë për pëllumbat postierë është rritur vitet e fundit, shoqëruar me rritjen e çmimit për këta kampionë, performanca e së cilëve qëndron në kthimin i pari në fole, në mënyrë krejt instiktive pasi ka përshkuar ndonjëherë edhe qindra kilometra./ /v.b/ a.jor.























