Plotësimi i Gjykatës Kushtetuese, Hysi: Meta të propozojë kandidatët

TIRANË, 26 shkurt/ATSH/ – Edhe pse dorëzimi i mandateve nga deputetë të opozitës vjen në një moment kur Këshilli i Emërimeve në Drejtësi po përgatiste edhe rankimin e kandidatëve për në Gjykatën Kushtetuese, për nënkryetarin e Kuvendit, Vasilika Hysi ky akt nuk do të arrijë të bllokojë procesin.

Gjatë një interviste televizive Hysi theksoi se, për plotësimin e vakancave në Gjykatën Kushtetuese përveç Kryetarit të Kuvendit, të drejtën e propozimeve e ka edhe Presidenti i Republikës, duke apeluar që ky i fundit të dalë mbi palët.

“Presidenti dhe Kryetari i Kuvendit e kanë filluar procedurën për plotësimin e vakancës në Gjykatën Kushtetuese. Pikërisht në momentin kur Këshilli i Emërimeve në Drejtësi po miraton aktet nënligjore dhe fillimin e rankimin e kandidatëve për anëtarë të Gjykatës Kushtetuese, opozita vendosi të heqë dorë nga mandatet, duke synuar të krijojë një shtytje të këtij procesi. Kjo nuk e bllokon procesin, sepse Presidenti i Republikës ka të drejtën të zgjedhë 3 anëtarët e tij për në Gjykatën Kushtetuese. Presidenti i Republikës i zgjedhur aty për përfaqësuar unitetin e popullit, për të dalë jashtë partive do ta ushtrojë detyrën e tij Kushtetuese. Uroj që Presidenti i Republikës do të ushtrojë funksionet e tij Kushtetuese. Sikurse edhe Kuvendi, i cili pavarësisht se nuk i ka 84 vota për miratimin e anëtarëve të Gjykatës Kushtetuese, ka një mekanizëm zhbllokues. Kandidati që rankohet i pari automatikisht është i zgjedhur”, tha ajo. /j.p/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.