TIRANË, 22 shkurt/ATSH-Maela Marini/ Përmes “Paktit për Universitetin”, qeveria shkoi përtej realizimit të 8 kërkesave të studentëve, siç është edhe ofrimi i mundësisë për punësim në administratë të studentëve ekselentë.
Në një takim me studentë të Universitetit “Eqerem Çabej” në Gjirokastër, Kryeministri Edi Rama veçoi ndërhyrjen që është bërë duke u krijuar mundësi ekselentëve të punojnë në administratën shtetërore.
“Ne i ndihmuam të kapërcejnë pengesat ligjore të deritanishme, sipas të cilave edhe pse një student mund të ishte me rezultate shumë të mira, nuk mund të punësohej pasi nevojitej eksperiencë pune, një eksperiencë që nuk kishte ku ta merrte ndryshe”, – tha Rama.
Po ashtu, Kryeministri u shpreh se “kemi hapur një program më të artikuluar për praktikat në administratë”. “Janë një numër i madh studentësh që mund të bëjnë praktika në administratë dhe të fitojnë eksperiencën e duhur”, – tha Rama.
“Është shumë e rëndësishme që ne të kultivojmë një mendësi të re, që vij në universitet që të marr dije dhe nuk vij vetëm që të bëhem rrogëtar i shtetit”, – tha Rama. /a.g/























