Ballina Ekonomi

Paketa fiskale, mbi 4 mijë tatimpagues informohen në terren

TIRANË, 21 shkurt/ATSH/ Administrata Tatimore po i kushton vëmendje të veçantë informimit të tatimpaguesve për t’i njohur ata me ndryshimet ligjore të Paketës Fiskale 2019. Për këtë qëllim, nga ana e punonjësve të Shërbimit të Tatimpaguesve po realizohen vizita informuese në mjediset e ushtrimit të aktivitetit.

Referuar të dhënave, deri tani janë informuar në terren mbi 4 mijë tatimpagues.

Përveç informimit mbi ndryshimet kryesore në legjislacionin tatimor, punonjësit e Shërbimit të Tatimpaguesve në të 14 Drejtoritë Rajonale Tatimore po shpërndajnë edhe broshura e materiale informuese.

Paketa Fiskale 2019, ka si objektiv përmirësimin e administrimit në mbledhjen e të ardhurave, reduktimin e kostove të përmbushjes tatimore, si nga biznesi, ashtu edhe nga administrata, por edhe nxitjen e deklarimeve dhe pagesave në kohë.

Kjo paketë synon lehtësimin e procedurave tatimore, stimulimin e zhvillimit të disa sektorëve, si: bujqësisë, turizmit, energjetikës, inovacionit etj.; reduktimin e evazionit fiskal dhe shmangies tatimore, si dhe lehtësimin e komunikimit kryesisht në rrugë elektronike, si me institucionet e linjës, ashtu edhe me tatimpaguesit.

Drejtoria e Përgjithshme e Tatimeve inkurajon tatimpaguesit që të marrin pjesë edhe në takimet e dedikuara informuese me ekspertët e saj, sipas kalendarit të përcaktuar për çdo drejtori rajonale tatimore. /m.m/j.p/

Sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”, i ndryshuar, ndalohet kopjimi, publikimi, shpërndarja dhe tjetërsimi pa cituar Agjencinë Telegrafike Shqiptare.
Artikulli paraprakHaradinaj: Kosovën ta bëjmë vend të dëshiruar për të rinjtë
Artikulli tjetërVENEZUELË – AI: Maduro ka urdhëruar ekzekutime