NJU JORK, 15 shkurt /ATA-AFP/ – Njëzetë e pesë vende premtuan një ndihmë prej 100 milionë dollarësh për Venezuelën, e prekur nga mungesa të mëdha në ushqime dhe ilaçe, njoftoi këshilltari për sigurinë amerikane, John Bolton.
Njoftimi u bë nga ky këshilltar i presidentit Donald Trump pas një konference të Organizatës së Shteteve Amerikane (OEA) në Uashington.
“Sot, 25 vende, të mbledhura në konferencën për ndihmën humanitare për Venezuelën e organizuar nga OEA, premtuan një ndihmë prej 100 milionë dollarësh”, shtoi ai në Twitter.
Sipas David Smolanksy, koordinator i një grupi pune të OEA-së për migrantët dhe refugjatët nga Venezula, këto fonde do të shkojnë drejt e në këto qendra të mbledhjes së ndihmave të ngritura pranë kufijve të Venezuelës, në Brazil, Kolumbi dhe në ishujt holandeze Kuraçao.
Në fjalën e tij në hapje të konferencës, Carlos Vecchio, përfaqësues zyrtar i opozitarit Juan Guaido në Shtetet e Bashkuara të Amerikës ishte shprehur se objektivi ishte që ndihma të futej në Venezuelë duke filluar nga 23 shkurti, një muaj pasi Guaido ishte shpallur president.
Ndihma u refuzua nga presidenti Nicolas Maduro, i cili e konsideron atë si një pretekst për të përgatitur një ndërhyrje ushtarake të Shteteve të Bashkuara të Amerikës.
Venezuela, gjithmonë e më tepër e izoluar në arenën ndërkombëtare, po kalon një krizë të rëndë ekonomike, me një popullsi të varfëruar përballë mungesave në ushqime dhe barna.
Konferenca e së enjtes u mbajt me kërkesën e sekretarit të përgjithshëm të OEA-së, Luis Almagro.
Megjithatë, kjo organizatë ndërkombëtare është e përçarë lidhur me çështjen e Venezuelës. Ajo miratoi një rezolutë që dënonte politikën e Maduros, por vetëm 16 nga 34 vendet anëtare nënshkruan një rezolutë për njohjen e Guaidos si president i përkohshëm.
/irmapu/ a.jor.























