TIRANË, 7 shkurt /ATSH/- Eksportet shqiptare në vitin 2018 janë rritur me 26%, me terma monetare janë 600 milionë dollarë më shumë që biznesi shqiptar ka sjellë në vendin tonë gjatë këtij viti.
Sipas të dhënave të gjeneruara nga INSTAT dhe Drejtoria e Përgjithshme e Doganave, të publikuara sot, në vitin 2013 eksportet kanë qenë në vlerën 246 miliardë lekë, ndërsa në vitin 2018 arritën në 310 miliardë lekë.
Kjo konfirmohet edhe në terma produktesh, pasi janë 758 artikuj të rinj që eksportohen, pa e zhgrumbulluar këtë përfitim në një numër të vogël biznesesh.
Po sipas të dhënave, në 2013 ishin 2,382 artikuj të eksportuar, ndërsa në 2018 kjo shifër arriti në 3 140 artikuj, pra duke u shtuar me 758 artikuj.
“Po të shohim shifrat ato tregojnë se bizneseve eksportuese iu janë shtuar 1586 kompani, krahasuar me pesë vite më parë”, bën të ditur Drejtoria e Përgjithshme e Doganave.
Sipas INSTAT, në vitin 2013 numri i kompanive ka qenë 2 380, ndërsa në vitin 2018 saktësisht janë 3 966 kompani shqiptare që eksportojnë në 132 vende të botës, pra ka një rritje prej 67%. /k.s/j.p/












