ANKARA – Cipras: Marrëdhënie të dobishme për popujt dhe rajonin

ANKARA, 4 shkurt /ATSH-AA/ – Në një intervistë për agjencinë turke të lajmeve, Anadolu Agency (AA), kryeministri i Greqisë, Aleksis Cipras deklaroi se duhen ndërtuar marrëdhënie të dobishme për popujt dhe rajonin.

Cipras, para vizitës së tij në Turqi më 5-6 shkurt, vlerësoi marrëdhëniet mes dy vendeve.

Ai tha se ”Turqia dhe Greqia për herë të parë gjatë krizës me refugjatë në vitet 2015-2016 kanë treguar se mund të bashkëpunojnë dhe se  fryt i këtij bashkëpunimi ishte marrëveshja BE–Turqi për migrantët”.

Cipras tha se në fushën e energjisë ka përparuar bashkëpunimi lidhur me gazsjellësin TransAdriatik (TAP) dhe Rrjedhën Turke, ndërsa vazhdojnë punimet për linjën hekurudhore Stamboll-Selanik, linjën detare Izmir-Selanik dhe zgjerimin e kufirit tokësor Ipsala-Kipi.

Kryeministri grek rikujtoi se presidenti turk Erdogan ka qenë presidenti i parë turk që ka vizituar Greqinë.

Ai gjithashtu duke tërhequr vëmendjen se Greqia ka lënë pas krizën ekonomike dhe se ka zgjidhur problemet e saj me fqinjët si Maqedoninë e Veriut dhe Shqipërinë, theksoi se vendi i tij ka hapur një faqe të re në vitin 2019.

“Duhet të krijohen kushtet e nevojshme për hedhjen e hapave historike në marrëdhëniet greko-turke. Duhet të ndërtojmë marrëdhënie të dobishme për popujt dhe rajonin tonë, bazuar në respekt të ndërsjellë dhe në të drejtën ndërkombëtare”, theksoi Cipras.

“Marrëdhënia ime me presidentin Erdogan bazohet në respekt dhe sinqeritet”, tha kryeministri grek duke folur për marrëdhëniet e tij me presidentin turk./ /os/ a.jor.

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.