Durrës, goditet grupi kriminal

TIRANË, 31 janar /ATSH/ Specialistët për Hetimin e Narkotikëve në Drejtorinë Vendore të Policisë Durrës në bashkëpunim me Prokurorinë e Rrethit Gjyqësor Durrës, pas një hetimi disa mujor me metoda speciale kanë finalizuar operacionin e koduar “Vollga”.

Në kuadër të këtij operacioni, nga Seksioni për Hetimin e Narkotikëve në DVP Durrës dhe Forca e Posaçme Operacionale në Policinë e Shtetit janë arrestuar në flagrancë 3 shtetas: B.D., A.T, dhe N.M. U ekzekutua gjithashtu, urdhri i Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Durrës për ndalimin e shtetasit A. R.

Pas ndjekjes dhe mbajtjes nën vëzhgim, kapën në flagrancë në Tiranë 3 shtetasit me rreth 5 kg të dyshuar heroinë, si dhe sasi monetare, 3 automjete e disa telefona.

Policia tha se vijon puna për dokumentimin e personave të tjerë të përfshirë në këtë aktivitet kriminal. /j.p/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.