Ballina Ekonomi

“Siguria e Digave”, miratohen ndryshimet në marrëveshjen e huasë

TIRANË, 29 janar/ATSH-Maela Marini/ Menaxhimi i digave dhe situata elektroenergjetike në vend ishte në fokus të diskutimeve në komisionin parlamentar të Ekonomisë dhe Financave.

Komisioni miratoi sot projektligjin “Për ratifikimin e letërmarrëveshjes ndryshuese të marrëveshjes së huasë, ndërmjet Republikës së Shqipërisë dhe Bankës Ndërkombëtare për Rindërtim dhe Zhvillim (IBRD), për financimin shtesë të projektit “Siguria e digave”, të ratifikuar me ligjin nr. 40/2012”.

Projektligji parashikon zhvendosjen e fondeve, pa e ndryshuar fondin tavan, nga zëri i parashikuar për asistencën teknike drejt zërit të punimeve civile të infrastrukturës, ku përfshihen siguria e digave, remonti i portës së shkarkimit, remonti i turbinave dhe sistemi i monitorimit të kaskadës dhe agregimit.

Po ashtu, ndryshimi përfshin gjithashtu edhe shtimin e afatit të disbursimit të huasë nga fundi i vitit 2019 në fundin e vitit 2020.

Deputetët e Partisë Socialiste në komision kërkuan po ashtu që të zhvillohet një seancë e zgjeruar me drejtuesit e tre kompanive, asaj të prodhimit, shpërndarjes dhe transmetimit të energjisë, për t’u njohur me bilancet e tyre si dhe situatën energjetike në vend.

“Duhet të kemi një mbledhje të posaçme të komisionit për t’u informuar mbi menaxhimin e sistemit energjetik nga tre kompanitë në vend. Situata është përmirësuar ndjeshëm krahasuar me sa ka qenë, ndaj duhet të njihemi me bilancet e tre kompanive”, tha deputetja e PS-së Blerina Gjylameti, duke kërkuar një seancë me të tre përfaqësuesit dhe zv.ministrin përkatës.

Ndaj komisioni vendosi të thërrasë një seancë të plotë për situatën energjetike në vend./j.p/

 

Sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”, i ndryshuar, ndalohet kopjimi, publikimi, shpërndarja dhe tjetërsimi pa cituar Agjencinë Telegrafike Shqiptare.
Artikulli paraprakGjyqtari Dvorani tërhiqet nga kandidimi për Kushtetuesen, mbetet në krye të KED-it
Artikulli tjetërKomisioni i Ekonomisë rrëzon kandidaturën e Bahri Shaqirit për kreun e KLSH-së