Komisioni i Ekonomisë rrëzon kandidaturën e Bahri Shaqirit për kreun e KLSH-së

TIRANË, 29 janar/ATSH-Maela Marini/ Komisioni parlamentar i Ekonomisë dhe Financave rrëzoi sot dekretin e Presidentit për propozimin e Bahri Shaqirit në postin e Kryetarit të Kontrollit të Lartë të Shtetit.

Fillimisht komisioni zhvilloi një seancë dëgjimore me Shaqirin, ku u njoh me prioritetet dhe vizionin e tij për drejtimin e këtij institucioni.

Lufta kundër korrupsionit, sipas Shaqirit, “është një prioritet i Reformës në Drejtësi që do të reflektohet edhe në punën e KLSH-së, në rast të zgjedhjes së tij”.

Duke mbajtur si referencë standardet europiane në drejtimin e KLSH-së, Shaqiri siguroi se në rast se do të zgjidhet si kryetar i KLSH-së do të bashkëpunojë ngushtësisht me komisionin parlamentar dhe institucionet përkatëse.

Ndërsa vlerësoi integritetin moral, kryetari i komisionit të Ekonomisë, Arben Ahmetaj nënvizoi si mangësi kryesore mungesën e përvojës në fushën financiare dhe të auditit.

“Plotëson kushtin për arsimimin, ka disa kualifikime në fushën e sigurisë së marrëdhënieve ndërkombëtare. Nuk ka dënime, për shkak të funksioneve të larta që ka mbajtur, por nuk ka përvojë financiare, për organizimin dhe funksionimin e KLSH-së”, tha Ahmetaj.

Angazhimet e Shaqirit, sipas tij, “janë të fokusuara në fushën e sigurisë, por jo në ato të parashikuara nga ligji për KLSH-në”.

“Eksperienca në legjislacionin financiar është e domosdoshme dhe e pazëvendësueshme me aftësi të tjera. Ai është larg specifikës financiare dhe të auditimit. Kështu që duke iu referuar të gjithë tagrit kushtetues të këtij komisioni, ky komision, i dërgon seancës mosmiratimin e kandidaturës së tij”, tha Ahmetaj. /j.p/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.