TIRANË, 23 janar /ATSH/ – Ngritja e gjykatave të SPAK-ut, përzgjedhja e gjyqtarëve të Gjykatës së Lartë dhe numri i kandidatëve për Shkollën e Magjistraturës, ishin në qendër të takimit që zhvilloi sot ambasadori i Bashkimit Europian në Tiranë, Luigi Soreca me Kryetaren e Këshillit të Lartë Gjyqësor, Naureda Llagami.
“Takimi i parë sot me Naureda Llagamin, Kryetare e Këshillit të Lartë Gjyqësor të sapoformuar (KLGJ). Diskutuam ngritjen e gjykatave të SPAK-ut, përzgjedhjen e gjyqtarëve të Gjykatës së Lartë dhe numrin e kandidatëve për Shkollën e Magjistraturës”, u shpreh ambasadori Soreca pas takimit.
Këshilli i Lartë Gjyqësor është një nga institucionet e reja që është ngritur pas miratimit të Reformës në Drejtësi. KLGJ përbëhet nga 11 anëtarë, gjashtë prej të cilëve zgjidhen nga gjyqtarët e të gjitha niveleve të pushtetit gjyqësor dhe pesë anëtarë i zgjedh Kuvendi, nga radhët e juristëve jo gjyqtarë.
Këshilli i Lartë Gjyqësor emëron, vlerëson, ngre në detyrë dhe transferon gjyqtarët e të gjitha niveleve; vendos për masat disiplinore ndaj gjyqtarëve të të gjitha niveleve; i propozon Presidentit të Republikës kandidatët për gjyqtarë të Gjykatës së Lartë, sipas ligjit; miraton rregullat e etikës gjyqësore dhe mbikëqyr respektimin e tyre; drejton dhe kujdeset për mbarëvajtjen e punës në administratën e gjykatave, me përjashtim të mbarëvajtjes së strukturave të teknologjisë së informacionit në gjykata, e cila rregullohet me vendim të Këshillit të Ministrave; propozon dhe administron buxhetin e tij dhe të gjykatave; informon publikun dhe Kuvendin për gjendjen e sistemit gjyqësor; ushtron funksione të tjera të caktuara me ligj.
/gj.mima/ /a.g/













