TIRANË, 13 janar/ATSH-Maela Marini/ “Partia Demokratike duhet të angazhohet për përcaktimin e formulës së përfshirjes së shqiptarëve që jetojnë jashtë territorit në zgjedhjet e përgjithshme të vitit 2021”.
Kështu deklaroi sot Sekretari i Përgjithshëm i Partisë Socialiste, Taulant Balla, njëkohësisht kryetar i Grupit Parlamentar të PS-së, për “TVTribuna” në Athinë.
Balla ndodhet në Athinë në kuadër të takimit që do të zhvillohet nesër, të Asamblesë së PS-së me përfaqësues të të gjitha degëve në Greqi.
Partia Socialiste, tha Balla, e ka kërkuar të drejtën e votës së shqiptarëve që jetojnë jashtë territorit që në paketën e vitit 2011.
“Kryefjala që jemi këtu është se ne duam ta forcojmë këtë strukturë të PS-së. PS është e vetmja forcë politike që mbështet tërësisht votën e shqiptarëve jashtë territorit. Me Reformën Zgjedhore ne duam të biem dakord për një formulë zgjedhore që i jep të drejtën e votës shqiptarëve që jetojnë jashtë vendit”, – tha Balla.
Sipas tij, Shqipëria është vendi i vetëm në Europë, që edhe pse e ka më tepër se 1/3 e popullsisë në emigracion, nuk u mundëson shqiptarëve jashtë territorit të shprehen me votë për vendimet që duhet të marri vendi i tyre.
Ende, tha Balla, nuk arrij ta kuptoj se kush është arsyeja që mban peng PD-në për realizimin e kësaj çështje.
Ne kemi nisur prej disa vitesh edhe një proces hartimi të adresarit të shqiptarëve që jetojnë jashtë territorit, tha Balla, ndërsa vuri në dukje se PS është partia e parë që ka institucionalizuar Ministrinë për Diasporën.
Lidhur me modalitetet, Balla tha se për zgjedhjet e përgjithshme të viti 2021 jemi në kohë për të diskutuar të gjitha format e votimit, me postë apo votimin tradicional në konsullata e ambasada, siç kanë edhe vendet e tjera.
“Këto janë të gjitha modele për t’u eksploruar, por apelim im drejtuar PD-së është seanca parlamentare e 21 janarit të jetë shprehje e gatishmërisë së të gjitha palëve që zgjedhjet vendore të zhvillohen sipas standardeve më të mira të përcaktuara nga OSBE/ODIHR-i”, – tha Balla.
Balla theksoi faktin se drafti i reformës zgjedhore ka marrë besimin e ekspertëve më të mirë ndërkombëtarë, dhe adreson të gjitha rekomandimet e OSBE/ODIHR-it.
E rëndësishme është, tha ai, që PD dhe LSI duhet të kuptojnë se depolitizimi i komisioneve zgjedhore është detyrim. Është absurde, tha Balla, që partitë të numërojnë votat e tyre, pasi kjo dëmton legjitimitetin e proceseve zgjedhore./e.caushi/























