Ballina Aktualitet

Studentja-Ramës: Shqipëria do të bëhet me ju dhe ne bashkë

TIRANË, 18 dhjetor /ATSH/ – “Unë jam një nga ata persona vizionarë që mendoj se Shqipëria do të bëhet. Nuk jam nga ata persona që duan të ikin jashtë. Ju lutem na krijoni mundësitë që të vazhdojmë të mendojmë dhe besojmë që Shqipëria do të mund të bëhet nga ju dhe nga ne të gjthë bashkë”.

Një studente e Universitetit Bujqësor të Kamzës u shpreh gjatë dialogut me Kryeministrin Edi Rama se studentëve u intereson të dinë çfarë do bëhet në të ardhmen dhe se kur mund të realizohen kërkesat e tyre.

Ajo propozoi edhe një reformë të ngjashme në Universitet si ajo e arsimit parauniversitar “3 lëndë në 2 orë”.

Kryeministri u shpreh se nga i gjithë dialogu që ka pasur deri tani me studentët, deri tani nuk ka dëgjuar asgjë që të ketë faj Ligji.

“Besoj që në shtëpi ju keni gjithmonë parasysh nga ka filluar dhe ku ka arritur përpjekja e prindërve dhe kur unë përpiqem ta fus në kontekst çdo gjë nuk dua të fajësoj ata përpara, por dua thjesht t’ju them që është e rëndësishme ta kemi parasysh nga vijmë që ta dimë ku mund të shkojmë”, – tha Rama.

“Deri tani nuk kam dëgjuar asgjë që të ketë faj Ligji. Programet mësimore i bëjnë Universitetet organizimi që thatë ju janë çështje e Universitetit dhe ligji thotë që duhet të mësojmë nga praktikat më të mira”, – u shpreh Rama.

Ai theksoi se, sot kemi dy ndryshime të mëdha. “Deri dje Universitetet nuk kishin akreditim të cilësisë dhe bëheshin me disa dokumente pseudo-akreditimi në ministri. Ne kemi marrë kompaninë angleze më të njohur ndërkombëtare, e cila ka bërë edhe akreditimin e Universitetit tuaj. Kompania angleze që nuk njeh as parti, as kushëri, as shok, as miq, këtë Universitet e ka nxjerrë me të dhëna pozitive. Patjetër ka lënë detyra, por e ka nxjerrë pozitiv. Kjo do të thotë që nuk është pafund nevoja për cilësi, por nga 5 vjet më parë ky Universitet ka cilësi, gjë që e thotë edhe kompania angleze e akreditimit”.

Lidhur me kërkesës që edhe në Universitet të bëhet një reformë si ajo në arsimin parauniversitar me më pak lëndë në një ditë duke caktuar më shumë orë leksionesh sesa seminaresh, Rama u shpreh se, kjo duhet bërë brenda senatit të Universitetit. /j.p/

Sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”, i ndryshuar, ndalohet kopjimi, publikimi, shpërndarja dhe tjetërsimi pa cituar Agjencinë Telegrafike Shqiptare.
Artikulli paraprakRinovimi i konvikteve, kushte të njëjta me studentët në Gjermani
Artikulli tjetërShqipëria solidare, të moshuarve u sigurohen karroca