Ballina Kulturë

FOTO/ Qendra për Hapje dhe Dialog, vendtakim i publikut me kulturën

TIRANË, 10 dhjetor /ATSH/ – Qendra për Hapje dhe Dialog (COD), në mjediset e Kryeministrisë tashmë është kthyer në një vendtakim mes artdashësve me artin dhe kulturën.

Gjatë muajit nëntor Qendra për Hapje dhe Dialog (COD) është vizituar nga 4792 persona të cilët kanë parë dhe prekur nga afër magjinë e veprave të Marc Chagall me ekspozitën “Gravitetin Magjik”, të cilat vijnë për herë të parë në Shqipëri gjithashtu dhe në përmbyllje të Vitit Mbarëkombëtar të Skënderbeut këtij ambienti për publikun iu shtua dhe artefakti i rrallë historik “Carta Nautica Uno”.

”Graviteti Magjik” sjell në COD më shumë se 180 gravura dhe grafika për herë të parë në Shqipëri me një përzgjedhje grafike nga tre ciklet e tij më të njohura ilustrative për libra: “Shpirtra të Vdekur’ të Gogol, ‘Stuhia’ të Shekspirit dhe ‘Fabulat’ e La Fontenit.

Gravurat e tij (në këtë ekspozitë cilësisht litografi dhe akuaforte) të mahnisin, duke demonstruar aftësinë e tij gjeniale për të balancuar vlera të ndryshme tonale; ato shfaqin aftësitë e tij të jashtëzakonshme në raportet mes të bardhës dhe të zezës, si dhe na zbulojnë dorën e tij unike, kaq delikate dhe të dallueshme në ‘gjestet’ dhe ‘prekjet’ e veçanta dhe intime. Ekspozita do të qëndrojë e hapur për publikun deri më datën 12 janar 2019.

Artefakti i rrallë historik ”Carta Nautica Uno” erdhi për publikun në mbyllje të vitit mbarëkombëtar të Gjergj Kastriot Skënderbeut.

Bëhet fjalë për një hartë detare të realizuar në vitin 1455, nga hartografi gjovanes Bartolomeo Pareto për Papën Nikolla V. Harta detare 1 e Bibliotekës Kombëtare Qendrore të Romës, paraqitet si një portulan me finesë të madhe edhe me cilësi teknike të përkryer.

Në kartolinën që shoqëron hartën detare shkruhet, se, “harta shquan nga prania e mjaft elementëve dekorative dhe e vendeve me interes të posaçëm, mes të tjerash ajo rrëfen bashkëkohësi ngjarjesh historike, në mënyrë të veçantë trysnin Osmane në Europë, e posaçërisht në Gadishullin e Ballkanit, ku në hapësirën e Arbrit bie në sy, toponimi i pazakontë ”Scanderbeco”. /a.a/j.p/

 

 

 

 

 

Sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”, i ndryshuar, ndalohet kopjimi, publikimi, shpërndarja dhe tjetërsimi pa cituar Agjencinë Telegrafike Shqiptare.
Artikulli paraprakRama-studentëve: Ju pres kur dhe ku të doni që të dialogojmë
Artikulli tjetërFOTO- Prag festash në qytetin bregdetar të Vlorës