Ballina Lajme nga Vendi

Shqipëri-Kroaci, memorandum bashkëpunimi për sigurinë kufitare

TIRANË, 5 dhjetor/ATSH/ Ministri i Brendshëm, Sandër LLeshaj firmosi me homologun e tij kroat, Davor Božinović, një marrëveshje për forcimin e bashkëpunimit në fushën e sigurisë së kufijve të të dy vendeve.

Kjo marrëveshje midis Ministrisë së Brendshme të Republikës së Kroacisë dhe Ministrisë së Brendshme të Republikës së Shqipërisë mbi forcimin e bashkëpunimit në fushën e sigurisë së kufijve, pason atë të nënshkruar në 2014 mes qeverive të dy vendeve, për bashkëpunimin policor dhe synon luftë efikase kundër të gjitha kërcënimeve ndërkufitare.

Në marrëveshje parashikohen fushat e bashkëpunimit, strukturat përkatëse të zbatimit të saj, format e shkëmbimit të informacionit etj.

Sipas marrëveshjes, palët angazhohen të forcojnë bashkëpunimin reciprok me qëllim parandalimin e migracionit të parregullt dhe të kërcënimeve ndaj sigurisë së kufijve të vendeve pjesëmarrëse. Në të parashikohen operacione të përbashkëta dhe mbështetje logjistike reciproke.

Ministri Lleshaj ishte pjesë e delegacionit, kryesuar nga Kryeministri Edi Rama që zhvilloi një vizitë zyrtare në Kroaci, në kuadër të Samitit të Kryeministrave të Iniciativës së Europës Qendrore. Ata janë takuar gjithashtu me Kryetarin e Parlamentit kroat, Gordan Jandroković, si dhe me Kryeministrin e vendit, Andrej Plenković.

/m.m/e.caushi/

Sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”, i ndryshuar, ndalohet kopjimi, publikimi, shpërndarja dhe tjetërsimi pa cituar Agjencinë Telegrafike Shqiptare.
Artikulli paraprakNxitja e prodhimit vendas, prioritet i qeverisë
Artikulli tjetërFOKUS – May akuzohet se po mashtron deputetët për marrëveshjen e Brexit