TIRANE, 24 nëntor/ATSH/- Autoriteti Rrugor Shqiptar dhe kompanitë kontraktore vazhdojnë ndërhyrjen në terren për eliminimin e rrëshqitjes së ndodhur në aksin Levan-Tepelenë, në afërsi të Poçemit.
Sipas ARRSH, gjatë orëve të natës së mbrëmshme dhe ditën e sotme po punohet për krijimin e një bypass të shkurtër që do të mundësojë rikthimin e qarkullimit normal të automjeteve.
Duke qenë se vatra e rrëshqitjes është ende aktive, zona po mbahet nën monitorim, për të shmangur rrezikshmërinë dhe planifikuar më tej fillimin e ndërhyrjes për eliminimin e rrëshqitjes dhe heqjen e sasisë së gurëve dhe materialeve të rëna në trupin e rrugës.
Kalimi i mjeteve aktualisht vazhdon të kryhet përmes rrugës së vjetër të Ballshit ndërsa Autoriteti Rrugor Shqiptar sqaron se do të informojë në momentin që do të jetë i aksesueshëm bypass-i për të rikthyer lëvizjen nga rruga Levan-Tepelenë. /a.g/




























