Mjekët turq: Plagosja e polices Nuka me lëndë plasëse

TIRANË, 23 nëntor/ATSH/ – “Epikriza e bërë nga ekspertët e spitalit të specializuar në Turqi shkruan ‘Plagosje e rëndë me bombë’, për efektiven Ina Nuka, pra nuk është fishekzjarr, por lëndë plasëse, e cila ne Kodin Penal konsiderohet goditje me armë dhe dënohet me 10 vite burg”.

Kështu deklaroi sot Kryeministri Edi Rama në emisionin “JAVA” nga Lorenc Vangjeli në Radio Televizionin Shqiptar.

“Vendosja e vajzave ka funksinuar vazhdimisht nuk është shpikja jonë, asnjë provokim është një vijë që ka funksionuar kur protesta nuk ka pasur qëllime për të kaluar në mjete të dhunshme, – nënvizoi Rama, duke shtuar se, – ajo që tha kryetari i opozitës është e turpshme, që vajza shkoi atje e patrajnuar, për të mbrojtur vjedhjen”.

Kryeministri Rama tha se “vajza është studente shumë e mirë, punonjëse policie shumë e mirë, që është aty për pasion dhe jo për punë. Unë takova prindërit dhe më treguan gjithë historinë e saj. Vajza ka shpëtuar se është e trajnuar dhe është treguar shumë e shpejtë, pasi goditja me lëndën plasëse ka hyrë mes shallit të uniformës dhe qafës. Ka qëndruar aty për një moment dhe shpërthimi ka ndodhur tek dora. Nëse shpërthimi do të kishte ndodhur në qafë, ne sot do të ishim në funeralin e saj”, – theksoi Rama. /k.s/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.