Rama: Opozita pa kauzë kërkon konflikt, pasi nuk më mundin dot me votë

TIRANE, 23 nëntor/ATSH/- Kryeministri Edi Rama e cilësoi bashkimin e opozitës me kauzën e banorëve që preken nga ndërtimi i Unazës së Madhe të Tiranës, si një përpjekje për të krijuar konflikt, në mungesë të kauzave të veta që duhet të ketë çdo opozitë.

“Opozita u fokusua tek Teatri së pari. Sheshin e protestës së aktorëve e ktheu në shesh konflikti politik, derisa Robert Ndrenika dhe ata që ishin kundër projektit u ulën me bashkinë dhe e pranuan projektin. Më pas, nisën me babalet. Pastaj u shfaq një shesh tjetër aty. Duket se opozita tërhiqet nga kauza grupesh dhe u bashkëngjitet, e paaftë të iniciojë një kauzë, pasi ‘Edi Ramën nuk e mundim dot me votë’, po kërkohet konflikt, një përplasje, atje ku ka njerëz që mund të përdoren si mish për top”, – theksoi Kryeministri.

Rama theksoi se ky qëndrim flet për një krizë të thellë të opozitës që flet gjëra të pakuptimta.

“Qeveria e ish-kryeministrit të PD-së ligjëroi me shumë të drejtë daljen nga procesi i legalizimeve të ndërtesave që pengojnë veprat publike. Të ndërtosh në kalanë e Lezhës që është monument kulture dhe të legalizohesh? Të ndërtosh mbi një kolektor, mbi një pompë e të ligjërohesh?” – tha Rama. /j.p/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.