Ballina Aktualitet

Konflikti tek Unaza e Madhe, artificial dhe për qëllime politike 

TIRANË, 23 nëntor/ATSH-Maela Marini/ “Nuk ka pasur kurrë në Shqipëri një protestë të udhëhequr nga opozita politike për të kërkuar atë që ligji e ndalon”.

Nga Libofsha ku zhvilloi një takim për reformën e pronës, Kryeministri Edi Rama komentoi sot edhe konfliktin tek Unaza e Re në Tiranë, që sipas tij, është ndezur në mënyrë artificiale për qëllime mirëfilli politike.

“Ne nuk mund të legalizojmë në kurriz të interesit publik dhe taksave të qytetarëve. Edhe kur filluan prishjet masive në Parkun Rinia në Tiranë, apo edhe në të gjitha bashkitë e tjera, kurrë nuk ka pasur një protestë të udhëhequr nga opozita politike për të kërkuar atë që ligji e ndalon”, – tha Rama.

Një protestë e tillë zhvillohet sot në Tiranë, dhe sipas Kryeministrit bëhet “jo për të mbrojtur shtëpitë e atyre që u prishen, por për të mbrojtur interesat e ngushta politike”.

“Një luftë për pushtet me motivin ‘gjej shesh të bëj përshesh’. Nuk na mundën dot me votë dhe tani duan t’i vënë flakën kësaj pune, duke ndezur shkrepsen e urrejtjes dhe duke i hedhur benzinë zjarrit aty ku del mundësia”, – tha Rama. /j.p/

Sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”, i ndryshuar, ndalohet kopjimi, publikimi, shpërndarja dhe tjetërsimi pa cituar Agjencinë Telegrafike Shqiptare.
Artikulli paraprakNë Liqenin e Shkodrës nuk do të lundrojnë më mjete pa targat përkatëse
Artikulli tjetërSOFT NEWS – 500 dollarë për të parë një… hardhucë dragua!