TIRANË, 29 tetor/ATSH/ – Bashkia e Shkodrës ka filluar punën për furnizimin e shkollave me lëndë për ngrohje, për të ofruar në kohë shërbimin e ngrohjes që fillon më datë 15 nëntor.
“Jemi në fund të muajit tetor, deri tani është realizuar furnizimi me dru zjarri në shkollat e njësisë administrative Pult, Shalë, Postribë, Dajç. Sot po shpërndahen në Njësinë Bërdicë. Në ditët e ardhshme do të furnizohen me dru zjarri shkollat e njësive administrative Rrethina, Shosh, Gur i Zi, Ana e Malit si dhe shkollat në qytet”, bën të ditur bashkia e Shkodrës.
Sipas bashkisë, sasia në m3 e druve të zjarrit është përllogaritur në bazë të ambienteve të shkollave.
“Një fakt shumë i rëndësishëm që vlen të theksohet është që këtë vit kemi 5 shkolla që nuk do të furnizohen me gaz të lëngshëm, por është zëvendësuar me ndërtimin e kaldajave në 3 shkolla, investime këto të realizuara nga buxheti i bashkisë Shkodër, si dhe zëvendësimin e gazit të lëngshëm me dru zjarri në dy shkolla të tjera”, nënvizon bashkia.
Në këtë mënyrë po bëhet e mundur vit pas viti ulja e numrit të shkollave që ngrohen me gaz të lëngshëm dhe zëvendësimin me lëndë drusore, apo me ngrohje qendrore.
Gjatë kësaj jave do të përfundojë puna për shpërndarjen e lëndës drusore edhe në njësitë e tjera administrative në territorin e bashkisë Shkodër./k.s/j.p/



























