Lufta ndaj paligjshmërisë, 81 të shoqëruar gjatë një jave në Elbasan

TIRANË, 29 tetor/ATSH-A. Fortuzi/ – Policia e Elbasanit ka vijuar kontrollet intensive gjatë javës së shkuar për të goditur paligjshmërinë

Gjatë këtyre kontrolleve u shoqëruan në komisariatet përkatës për verifikim 81 persona kryesisht me precedentë penalë, të dyshuar për armëmbajtje pa leje, vjedhje dhe prodhim dhe shitje të lëndëve narkotike si edhe 61 shtetas janë proceduar penalisht, për vepra të ndryshme penale nga të cilët: 11 janë arrestuar, 3 janë ndaluar, 39 janë proceduar penalisht në gjendje të lirë, si dhe 9 janë shpallur në kërkim.

Policia rrugore e Elbasanit, po ashtu, vijon zbatimin e planit të masave për rritjen e parametrave të sigurisë rrugore, ku janë arrestuar 9 drejtues mjetesh (drejtim mjeti në gjendje të dehur apo pa leje drejtimi dhe 4 janë proceduar në gjendje të lirë. Si rezultat i këtyre kontrolleve të shtuara janë pezulluar 40 leje drejtimi dhe janë vendosur 1115 masa administrative për shkelje të ndryshme të Kodit Rrugor.

Policia po ashtu ka pasur takime në shkollat dhe bashkëbisedim me nxënësit dhe mësuesit për sigurinë rrugore, ndërsa vazhdon zbatimi i planmasave, për kontrollin e territorit me qëllim parandalimin dhe goditjen e kultivimit të bimëve narkotike, në të gjithë territorin e Qarkut Elbasan. /j.p/

 

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.