Ballina Aktualitet

Ahmetaj: Synojmë uljen e borxhit publik në 45%

TIRANË, 5 tetor /ATSH/- “Ulja e borxhit publik është detyrë kombëtare deri sa ta çojmë në nivelin 45%”.

Kështu u shpreh sot ministri i Financave dhe Ekonomisë, Arben Ahmetaj gjatë konferencës për shtyp, ndërsa theksoi se, konsolidimi fiskal do të vazhdojë sikundër dhe reformat në mbështetje të rritjes ekonomike.

“Dua t’ju transmetoj qytetarëve, theksoi kreu i Financave, që në finale Shqipëria pas të gjitha reformave që ka ndërmarrë është kthyer në një vend normal në sytë e ndërkombëtarëve dhe investitorëve të huaj”, tha ai.

“Emri i Shqipërisë po njihet tashmë si një vend normal ku ekonomia po konsolidon rritjen pozitive dhe besoj që kjo do të reflektojë rritjen e investimeve të huaja në Shqipëri”, tha ministri.

Duke u ndalur në deklaratën e institucioneve ndërkombëtare për treguesit ekonomisë shqiptare, ministri Ahmetaj theksoi se, jo më larg se dje ishte Banka Botërore e cila konfirmoi rritjen e ekonomisë në Shqipëri mbi nivelin 4%.

Ndërkohë që projeksionet tona, tha ia, synojnë që deri në fund të vitit të arrijmë rritje ekonomike mbi 4%. /e.xh/j.p/

Sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”, i ndryshuar, ndalohet kopjimi, publikimi, shpërndarja dhe tjetërsimi pa cituar Agjencinë Telegrafike Shqiptare.
Artikulli paraprakKickl: Koordinim të politikave për migracionin ilegal
Artikulli tjetërPraktikë profesionale pranë UKT-së në Tiranë, hapen aplikimet