TIRANË, 24 shtator /ATSH/ – Pasuritë kulturore në të gjithë Shqipërinë vëzhgohen dhe mirëmbahen në mënyrë sistematike nga specialistët e Drejtorive Rajonale të Trashëgimisë Kulturore.
DRRK Shkodër do të kujdeset për kryerjen e ndërhyrjeve restauruese në Kishën-Xhami, e pozicionuar pranë mureve rrethuese, në anën veriperëndimore të Kalasë së Shkodrës.
Kisha-Xhami përbëhet nga naosi, mjedisi i altarit dhe hajati në anën jugore. Në këndin e formuar në anën e jashtme, është e pozicionuar edhe minarja.
Objekti është ndërtuar në fund të shek. XIII. Është ndërtuar sipas stilit romanik që është përdorur në kishat e kësaj periudhe në Dalmacinë Jugore, dhe Shqipërinë Veriperëndimore. Në shek. XIII është ndërtuar salla dhe kthina e altarit.
Në shek. XV është ndërtuar hajati. Në pjesën jugore të saj ndodhet porta dhe tri dritare të hapura pas modifikimit të absidës nga turqit. Dritaret kanë një gjerësi prej 1.25 m, ndërsa dy shtyllat kanë një gjerësi prej 1.34 m. Pas pushtimit turk kthehet në xhami dhe ndërtohet minarja.
Kujdesi, mirëmbajtja dhe promovimi i trashëgimisë sonë kulturore është një mision i përbashkët, për specialistët e mirëmbajtjes dhe restaurimit për t’i përçuar këto pasuri, në mënyrën e duhur, tek brezat e ardhshëm. /a.a/ /a.g/























