Gjermania, skeptike për korrigjimin e kufijve mes Kosovës dhe Serbisë

TIRANË, 19 shtator /ATSH – Gjergji Mima/ – Gjermania shprehet skeptike rreth idesë së korrigjimit të kufijve mes Kosovës dhe Serbisë.

Ministri i Jashtëm i Gjermanisë, Heiko Maas, i cili u takua sot me ministrin për Europën dhe Punët e Jashtme, Ditmir Bushati theksoi lidhur me çështjen e korrigjimit të kufijve mes Kosovës dhe Serbisë se: “Javët e shkuara ne zhvilluam biseda të ndryshme me drejtues të vendeve të rajonit dhe shumë shpesh është thënë që ekziston frika e arritjes në shkëmbimin e zonave midis Kosovës dhe Serbisë dhe ekziston gjithashtu frika e një efekti domino”.

Kjo, theksoi ministri gjerman, “është një frikë që ne e kemi perceptuar dhe kjo do të luajë edhe një rol sa i përket qëndrimit të qeverisë Federale në këtë drejtim. Ndaj jemi diskretë dhe skeptikë lidhur me këtë pikë”.

“Kjo është një çështje që do të duhet të sqarohet dhe të mrerret një vendim lidhur me këtë dhe të zgjidhet në mënyrë të tillë, që të mos shkaktohen probleme të tjera shtesë përveç atyre që janë. Pra nëse korrigjimi i kufijve do të jetë pjesë e kësaj zgjidhje përkundrejt kësaj, ne jemi skeptikë dhe të përmbajtur”, – u shpreh ministri i Jashtëm i Gjermanisë, Heiko Maas. j.p/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.