Ballina Aktualitet

Rritje e investimeve holandeze në Shqipëri

TIRANË, 12 shtator /ATSH/ – Investimet holandeze në Shqipëri, kanë ardhur duke u rritur dhe kanë arritur shifrën 800 milionë USD, çka është tregues i thellimit të bashkëpunimit midis të dy vendeve.

Kryetari i Kuvendit, Gramoz Ruçi, priti sot në një takim ambasadoren e Mbretërisë së Holandës, Guusje Korthals Altes.

Ruçi e uroi ambasadoren Korthals Altes për misionin e saj në Shqipëri dhe i bëri me dije që i pret një bashkëpunim i ngushtë, sepse Shqipëria ndodhet në fazën përgatitore për hapjen e negociatave.

“Për ne, qëndrimi i Holandës është shumë i rëndësishëm, si një vend me vlera e standarde të larta europiane dhe me kërkesat e natyrshme që këto vlera të bëhen pjesë edhe e vendeve që pranohen në familjen europiane. Por, që të arrihet kjo, ne e dimë që kemi shumë punë. Ne besojmë shumë te mbështetja e Holandës”, – ishin fjalët e Kryetarit të Kuvendit, Gramoz Ruçi.

Më tej, Ruçi e konsideroi bashkëpunimin politik midis të dy vendeve si shumë të mirë dhe shprehu konsideratën se kësaj marrëdhënieje të mirë i ka shërbyer edhe shkëmbimi i vizitave të nivelit shumë të lartë.

“Investimet holandeze në Shqipëri vijnë gjithashtu duke u rritur dhe kanë arritur shifrën 800 milionë USD, çka është tregues i thellimit të bashkëpunimit midis të dy vendeve. Gjithashtu, kontaktet midis njerëzve janë rritur dhe kjo i shërben më mirë njohjes reciproke midis të dy popujve dhe imazhit të tyre në të dy vendet”, – tha Ruçi.

“Ne po punojmë me Komisionin Europian për procesin përgatitor, në mënyrë që qershorin e ardhshëm të realizohet aspirata jonë për fillimin e negociatave. Shqipëria është e angazhuar në përmbushjen e pesë prioriteteve kryesore: reforma e administratës publike, reforma e gjyqësorit, lufta kundër korrupsionit, lufta kundër krimit të organizuar dhe mbrojtjes, duke përfshirë të drejtat e personave që u përkasin pakicave dhe të drejtave pronësore”, – tha Ruçi.

Kryetari i Kuvendit e falënderoi ambasadoren Korthals Altes edhe për kontributin e dy gjyqtarëve holandezë në Komisionin e Vetingut.

Ambasadorja Guusje Korthals Altes e falënderoi Kryetarin e Kuvendit Gramoz Ruçi për fjalët dhe pritjen e ngrohtë dhe e cilësoi Shqipërinë si një vend shumë të rëndësishëm për Holandën.

Ajo siguroi se do të kontribuojë në zgjerimin dhe forcimin e bashkëpunimit midis të dy vendeve, sidomos në përshpejtimin e procesit të integrimit, por edhe në fusha të tjera si bashkëpunimi ekonomik, rritja e investimeve, bashkëpunimi në fushën e arsimit, mbështetja e shoqërisë civile etj.

Ambasadorja Korthlas Altes falënderoi Kryetarin e Kuvendit për mbështetjen që i jep bashkëpunimit shqiptaro-holandez dhe shprehu besimin se frut i këtij bashkëpunimi dhe i thellimit të reformave do të jetë edhe hapja e negociatave në qershorin e vitit të ardhshëm.

/gj.mima/ /a.g/

Sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”, i ndryshuar, ndalohet kopjimi, publikimi, shpërndarja dhe tjetërsimi pa cituar Agjencinë Telegrafike Shqiptare.
Artikulli paraprakKukës, DSHP nis punën për pastrimin e hapësirave pranë shkollave
Artikulli tjetërBERLIN – Merkel nuk përjashton pjesëmarrjen gjermane në sulmet në Siri