Garantim votimit të emigrantëve shqiptarë

TIRANË, 7 shtator /ATSH/ – Garantimi i votimit të emigrantëve është çështja kryesore që Partia Socialiste ka sjellë në tyrezën e Komisionit për reformën Zgjedhore.

Bashkëkryetari i PS në këtë Komision, Bledi Çuçi, u shpreh se, “është cinike që ne merremi në Kodin zgjedhor me përshkrime të detajuara se si t’i garantojmë secilit qytetar aksesin në votime dhe kemi lënë në harresë të gjithë shqiptarët që jetojnë jashtë atdheut, të cilët duhet dhe ata të kenë zërin e tyre në mënyrën se si qeveriset Shqipëria”.

“Ne si grup pune, – vijoi ai, – kemi rënë dakord edhe me opozitën. Këto janë rregulla që vendosen bashkërisht me opozitën. Duhet t’u mundësojmë emigrantëve që aty ku janë të kenë mundësi të votojnë”.

Janë vetëm dy vende sot në Europë që nuk e garantojnë sot këtë gjë”, – tha Çuçi.

Ai shtoi se, “Partia Socialiste ka si synim të qartë të garantojë rregulla që zgjedhjet të jenë të drejta dhe të lira ndaj që prej fillimit të legjislaturës miratuam dhe ngritëm një komision Ad-hoc, bipartizan për të diskutuar për përmirësimin e rregullave të lojës politike dhe administrimit të procesit zgjedhor”.

“Tre çështje ishin në tryezë. E para, e panegociueshme, sepse vinte si një detyrim i organizmave ndërkombëtare, adresimin e rekomandimeve të OSBE-ODIHR për tri zgjedhjet e fundit në Shqipëri. E dyta, ishin çështjet që PS solli në tryezë dhe e treta, ishin ato që opozita ka sjellë në tryezë”, – tha Çuçi.

“Kemi pasur rekomandim nga OSBE-ODIHR që duhet filluar tashmë që edhe në Shqipëri t’i depolitizojmë gradualisht komisionet zgjedhore. Kjo i shërben jo vetëm klimës politike, por edhe procesit. Për këtë kemi bërë propozimet tona si PS dhe mendoj se edhe diskutimet e bëra në Komisionin bipartizan nuk kanë marrë kundërshti. Mendoj se bashkë me setin e rekomandimeve që brenda një muaji do të sjellim në Kuvend kjo do përfshihet si një nga çështjet kyçe”, – theksoi Çuçi.

“Partia Demokratike si kërkesë të saj ka pasur përfshirjen e teknologjisë në procesin zgjedhor edhe për këtë ka pasur një analizë të gjerë dhe tashmë kemi marrë vendimin politik që po, jemi dakord, ka ardhur momenti të pilotojmë futjen e teknologjisë në procesin e votimit dhe identifikimit”, – u shpreh Çuçi.

/gj.mima/j.p/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.