TIRANË, 30 gusht /ATSH/ – Deputetja e Partisë Socialiste, Elisa Spiropali ka reaguar sot pas deklaratës së deputetes së Partisë Demokratike, Jorida Tabaku e cila theksoi se PD informoi Brukselin para përgjimit në lidhje me Ligjin antikushtetues për pronat.
“Dikush duhet t’i kujtojë zonjës Tabaku se Shqipëria 1€ ishte slogan i liderit të saj! Le t’i kërkojë edhe një rast të vetëm deri sot kur qeveria shqiptare ka dhënë tokë shtetërore a private me 1€ në bregdet për një individ me emër e mbiemër!” – thekson Spiropali në reagim.
Dhe, shton Spiropali, “nuk është mirë që zonja Tabaku të vajtojë për pronarët, se atë që u bëri pronarëve e pronave në këtë vend partia e saj, s’ia ka bërë e s’ia bënte dot asnjë pushtues i huaj”.
“Sa për këtë babalepërgjimin e radhës me Denar Bibën që paska shantazhuar kunatin e Genc Pollos, kryebiba e PD-së Lulzim Basha, bën mirë të kthehet edhe mendërisht e jo vetëm fizikisht nga pushimet e gjata, se erdhi shtatori”, thekson deputetja e PS, Elisa Spiropali.
/gj.mima/j.p/























