Ballina Lajme nga Vendi

Foto-Rehabilitohet blloku i banimit në Selitë, rrugë dhe rrjet i ri ujësjellës-kanalizimeve

TIRANË, 17 gusht/ATSH/-Investimet në çdo lagje të Bashkisë së Tiranës kanë prekur edhe banorët e Selitës, të cilët janë përfitues të një blloku të ri banimi, me rrugë të shtruara, ndriçim e trotuare.

Ndërhyrja për rikonstruksionin e rrugëve të bllokut të kufizuar nga rrugët “Hamdi Pepa”, “Ilia Dilo Sheperi”, “Visarion Xhuvani”, “Leka i Madh”, ka zgjidhur problemin shumëvjeçar të mungesës së infrastrukturës për banorët e kësaj zone, të ardhur kryesisht pas viteve ‘90.

Teksa u bëri apel banorëve të bllokut të mirëmbajnë investimin e kryer, kryebashkiaku ftoi qytetarët që të bashkëpunojnë për lirimin e hapësirave, të cilat pengojnë projektet zhvilluese.

Veliaj tha se qytetarët duhet të regjistrojnë adresën e saktë të vendbanimit, në mënyrë që zona të përfitojë nga shpërndarja më e mirë e fondeve dhe e investimeve. “I ftoj banorët të vijojnë me regjistrimin në zonë. Sot janë të gjithë qytetarë të Tiranës dhe duhet të regjistrohen këtu. Fakti që marrim taksa nga pjesa e vjetër e Njësisë 5 për t’i sjellë në zona ku vetëm së fundi, pas legalizimit, ka filluar të paguhet pak taksë prone, do të thotë se automatikisht Bashkia e Tiranës i ka privilegjuar. Tani ka ardhur koha që edhe ata të sillen si qytetarë të Tiranës dhe të bëhen pjesë e kësaj bashkësie që paguan diçka modeste, por në fund fare kontribuon në të mirën e përbashkët”, tha ai.

Veliaj bëri të ditur se nga 17 shkolla të reja që do të ndërtohen, 3 prej tyre janë vetëm për Njësinë 5, duke sjellë një rritje të standardit dhe të cilësisë së mësimdhënies për fëmijët e zonës. “Disa nga vendimet më të rëndësishme për zonën do të jetë fillimi i shkollave të reja. Shkolla e parë që do të fillojë do të jetë afër Parkut Olimpik dhe besoj se edhe një nga problematikat e fundit që kemi, për sa i përket bashkisë në këtë zonë, shfryrja e klasave me dy turne, do të vijojë me shkollat e reja. Në total, do të jenë 17 shkolla të reja dhe vetëm për Njësinë 5, kemi 3 të tilla”, nënvizoi Veliaj.

Ministri për Diasporën dhe njëkohësisht deputeti i zonës, Pandeli Majko u shpreh se tashmë e gjithë zona është transformuar tërësisht. “Këtu kemi gjetur një fshat monopat dhe e kemi kthyer në një qytet të një standardi më të lartë. Këtu nuk është bërë thjesht shtrimi i rrugës apo rregullimi anësor i saj, por janë bërë edhe muret rrethuese dhe i kanë dhënë një pamje standardizuese gjithë rrugës, duke e kthyer atë ndoshta në pjesët më të bukura të Tiranës”, deklaroi Majko.

Blloku i rehabilituar kufizohet nga Rr. “Hamdi Pepa”, Rr. “Ilia Dilo Sheperi”, Rr. “Visarion Xhuvani”, Rr. “Leka I Madh” dhe ka një siperfaqe prej 21,2 Ha. Ndërhyrja është kryer jo vetëm në shtrimin me asfalt të rrugës, por edhe me rrjetin e ri të ujësjellës-kanalizimeve, ndriçim, trotuare, ndërkohë që muret janë të veshura me pllaka dekorative guri dhe kangjella. /a.g/

 

Sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”, i ndryshuar, ndalohet kopjimi, publikimi, shpërndarja dhe tjetërsimi pa cituar Agjencinë Telegrafike Shqiptare.
Artikulli paraprakÇfarë kanë të përbashkët Tirana, Durrësi dhe Elbasani?
Artikulli tjetër“Nivica 2018”, turistët çekë me përshtypje të mrekullueshme