Ballina Lajme nga Vendi

Foto/ Më shumë se 100 mjekë dhe infermierë në gatishmëri të plotë, ministrja tregon rast personal

TIRANË, 14 gusht/ATSH/ – Gjatë kësaj vere, më shumë se 100 mjekë dhe infermierë janë në gatishmëri të plotë, në të gjithë plazhet e Shqipërisë ndërsa vetë ministrja e Shëndetësisë, Ogerta Manastirliu ka zgjedhur të sjellë në vëmendje tri infermieret në qendrën shëndetësore të Dhërmiut.

Bëhet fjalë për Dr. Jora, Kleandra, Marina dhe infermieret Kristina, Mirsida dhe Krisa, të cilat ministrja i quan heroina të vërteta, pasi sipas saj, këto të fundit shërbejnë pa u lodhur, duke u dhënë ndihmën e shpejtë për mijëra pushues. Duke sjellë shembullin personal, pra ku vetë ministres i është dashur ndihma e parë në këtë qendër shëndetësore, Manastirliu tregon se këtë përgjegjshmëri nga ana e tyre, e ka tashmë të provuar.

“E them jo vetëm si ministre e Shëndetësisë, por edhe si dikush që e provoi vetë gatishmërinë dhe dorën e tyre, në një moment kur, si qindra pushues të tjerë, m’u desh të kërkoj ndihmën e parë në këtë qendër shëndetësore verore. Që nga të prekurit prej virozave të stinës, aksidentet jo të pazakonta të plazhit, e deri tek ata më të guximshmit që zgjedhin sporte ekstreme dhe aventura, janë të shumtë ata që ndajnë po këtë mendim. Me qetësi dhe një buzëqeshje, që duket “sikur bën gjysmën e punës”, në dhënien e ndihmës për ata që kanë nevojë për të, ky ekip mjekësor janë një shembull i përsosur i stafit që ne kemi në qendrat shëndetësore dhe spitalet tona”, – thotë ministrja.

z.tosku/r.e/

Sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”, i ndryshuar, ndalohet kopjimi, publikimi, shpërndarja dhe tjetërsimi pa cituar Agjencinë Telegrafike Shqiptare.
Artikulli paraprakBursa studimi në Itali, dokumentacioni që kërkohet për të aplikuar
Artikulli tjetërItali – Rëndohet bilanci i tragjedisë në Gjenova, të paktën 35 të vdekur