PRISHTINË, 13 gusht/ATSH/- Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, theksoi sot në kuadër të 17 vjetorit të nënshkrimit të Marrëveshjes së Ohrit se kjo marrëveshje ndali përfundimisht konfliktin e armatosur dhe krijoi perspektivë për paqe, stabilitet dhe bashkëjetesë ndëretnike në Maqedoni.
“Edhe pas 17 viteve ajo mbetet garantuesi më i madh i të drejtave të shqiptarëve dhe stabilitetit në Ballkanin Perëndimor. Implementimi i plotë i saj, si dhe marrëveshja për emrin me Greqinë, përfundimisht i hap rrugë anëtarësimit të Maqedonisë në NATO dhe BE”, shprehet Thaçi.
Kreu i shtetit tha se “Kosova mbetet partner i vazhdueshëm i Maqedonisë dhe respektimit të të drejtave të popullatës shqiptare”.
Sot shënohen 17 vite nga nënshkrimi i Marrëveshjes së Ohrit, me të cilën iu dha fund konfliktit të armatosur në Maqedoni duke krijuar një kornizë për bashkëjetesë ndëretnike. Marrëveshja synonte zhvillimin e qetë dhe harmonik të shoqërisë maqedonase duke respektuar njëkohësisht identitetin etnik dhe interesat e të gjithë qytetarëve të Maqedonisë. /k.s/























