Pasojat e tërmetit, Emergjencat Civile në krye të detyrës

TIRANË, 13 gusht/ATSH/ – Nisur nga situata e krijuar nga rënia e tërmetit në 11 gusht, por edhe disa tërmeteve të njëpasnjëshme që e shoqëruan atë, në qarkun Dibër, si dhe në disa qarqe të tjera të vendit tonë, një grup inspektimi nga Drejtoria e Përgjithshme e Emergjencave Civile, e kryesuar nga Drejtori i Përgjithshëm i saj, Haki Çako inspektuan një ditë më parë disa fshatra të bashkisë Mat, qarku Dibër.

Drejtoria e Përgjithshme e Emergjencave Civile realizoi inspektimin e objekteve, banesave në disa nga fshatrat më të prekura nga kjo fatkeqësi me qëllim praninë e institucioneve shtetërore tek banorët dhe dhënien e ndihmës emergjente ndaj tyre, sidomos nevojën e përkohshme të furnizimit me çadra, por edhe zhvillimin e takimeve me drejtues të pushtetit vendor për vlerësimin e situatës, masat e marra, ndihmën me asistencë teknike për personelin e angazhuar në grupet e konstatimit dhe vlerësimit të dëmeve në zonën ku ka dëme nga tërmeti.

Në takimin me Nexhmedin Shehun, prefekt i qarkut Dibër, u diskutua për situatën e krijuar nga tërmeti i rënë, shtëpitë e dëmtuara, problemet e krijuara dhe masat e marra nga ana e pushtetit vendor.

Zona më e prekur nga tërmeti ishte ajo që përfshinte Njësinë Administrative Derjan, në të cilën janë dëmtuar 31 banesa, si dhe në Njësinë Administrative Macukull ku janë dëmtuar 4 banesa. Për këtë arsye, grupi i inspektimit realizoi inspektimin në këto njësi administrative.

Nga inspektimi në terren rezultoi se ishin dëmtuar seriozisht disa banesa. Nga rreziku i shembjes së banesave, për arsye sigurie banorët flinin jashtë tyre, prandaj shtrohet nevoja urgjente për furnizimin me çadra të këtyre familjeve. Për këtë arsye, nga ana e prefektit të qarkut Dibër u kryen procedurat ligjore dhe në bashkëpunim me Drejtorinë e Përgjithshme të Emergjencave Civile u bë i mundur dërgimi i 7 çadrave për familjet, bazuar në vlerësime paraprake.

Në total në bashkinë Klos, ka pasur dëmtime dhe çarje muresh dhe suvaje në 36 banesa. Në bashkinë Mat ka pasur dëmtime në çarje muresh, suvatime dhe tavane në 53 banesa. Në bashkinë Bulqizë, ka pasur dëmtime dhe çarje muri në 47 banesa. Në bashkinë Mirditë ka dëmtime në 4 banesa.

z.tosku/r.e/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.