Bashkia e Tiranës restauron shkollat, gati për fillimin e vitit të ri mësimor

TIRANË, 13 gusht/ATSH/ – Ndërsa duhet edhe pak kohë që shkollat të hapin dyert për nxënësit në vitin e ri mësimor, aktualisht të gjitha shkollat e Tiranës po restaurohen nga bashkia e Tiranës e po bëhen gati për të pritur nxënësit në shtator.

Krahas hapjes së shkollave të reja këtë vit, edhe ato ekzistuese pritet që t’i mirëpresin fëmijët e kryeqytetit me kushte shumë herë më të mira. Në shkollën “Partizani” është bërë lyerja e godinës dhe riparimet e brendshme, ndërkohë që edhe në shkollën “Myslym Keta” po punohet me intensitet duke riparuar dyert, sistemin elektrik si dhe sistemin e tualeteve.

Riparimeve këto kohë i janë nënshtruar edhe shkollat “28 Nëntori” si dhe “Kongresi i Lushnjes”, ku krahas riparimit të fasadave dhe ambienteve të brendshme, janë rregulluar edhe tarracat.

Në kryeqytet ka marrë jetë projekti për ndërtimin e shkollave të reja, i cili do t’i japë zgjidhje përfundimtare mësimit me dy turne, sikurse vetë kryetari i bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj ka premtuar.

z.tosku/r.e/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.