PRISHTINË, 13 gusht/ATSH/- Në fshatin Burim (ish Joviq), të Malishvës kanë filluar të realizohen dy projekte me rëndësi për fshatin, zgjerimi i rrjetit të kanalizimit dhe ndërtimi i fushës së futbollit në shkollën e fshatit.
Për këtë qëllim, sot nënkryetari i Komunës së Malishevës, Hajdin Berisha, i shoqëruar edhe nga drejtori i urbanizmit, Islam Vrenezi, kanë vizituar këtë fshat, për të parë nga afër punimet në këto dy projekte, si dhe janë takuar me banorët, bëhet e ditur në njoftimin për shtyp të komunës së Malishvës.
“Zgjerimi i kanalizimit, përkatësisht ndërtimi i rrjetit të kanalizimit për një pjesë të fshatit të cilët deri më tani nuk kanë pasur qasje në rrjetin e kanalizimit, ka rëndësi jetike për banorët, pasi rrjetet e kanalizimeve sot janë një domosdoshmëri. Gjithashtu edhe ndërtimi i fushës së sportit, për nxënësit e shkollës, por edhe për të rinjtë e fshatit, gjithashtu ka rëndësi të madhe dhe ka qenë më se e nevojshme”, tha nënkryetari Berisha, gjatë vizitës në Burim.
Nga ana tjetër, banorët e kësaj pjese të fshatit, janë të kënaqur me ndërtimin e rrjetit të kanalizimit, pasi zgjerimi me ndërtime të reja në lagje, ka bërë që sistemi i kanalizimit, të jetë i domosdoshëm, dhe për këtë arsye, banorët e falënderojnë Komunën, për investimin e bërë.
Ndërsa drejtori i urbanizmit, Islam Vrenezi, tha se në këtë lagje, do të ndërtohen 1350 metra rrjet i kanalizimit, i cili mundëson kyçjen e lagjes, me pjesën tjetër të kanalizimit të fshatit dhe përfundimisht, zgjidhet problemi i ujërave të zeza në këtë lagje.
Ndërtimi i fushës së sportit për shkollën dhe ndërtimi i rrjetit të kanalizimit janë dy projekte për fshatin, që financohen nga buxheti i Komunës së Malishevës./k.s/






















