TIRANË, 20 korrik/ATSH/ – Presidenti Ilir Meta priti sot në një takim ministrin e Brendshëm të Kosovës, Bejtush Gashi.
Presidenti Meta, shprehu kënaqësinë e veçantë për rekomandimin pozitiv që Komisioni Europian, ka dhënë për liberalizimin e vizave për qytetarët e Republikës së Kosovës dhe pret me kënaqësi që edhe Parlamenti Europian dhe Këshilli të miratojnë sa më parë këtë rekomandim, që qytetarët e Republikës së Kosovës më në fund të lëvizin të lirë në shtetet e Bashkimit Europian.
Presidenti Meta theksoi rëndësinë që ka bashkëpunimi në mes të dy vendeve tona, por edhe shteteve të tjera të rajonit, në luftën kundër terrorizmit dhe krimit të organizuar, si dhe krijimin e një klime sa më të mirë dhe të sigurt për të gjithë rajonin tonë.
Presidenti Ilir Meta u interesua në mënyrë të veçantë për bashkëpunimin në mes të dy shteteve tona në fushën e Emergjencave Cilivile dhe falënderoi Ministrin Gashi, për angazhimin profesional të pjesëtarëve të Emergjencave Civile të Kosovës me rastin e fatkeqësive të ndryshme natyrore në vendin tonë, por edhe në rajon. “Bashkëpunimi në fushën e Emergjencave Civile, duhet të jetë prioritet i të gjithë neve, jo vetëm në Shqipëri dhe Kosovë, por edhe me shtetet e tjera të rajonit”, – theksoi Presidenti Meta. /a.g/












