MADRID, 15 korrik /ATSH-AFP/ – Hapësira europiane Shengen për qarkullimin e lirë të personave po fillon të zhduket nën presionin e imigracionit, shprehu me keqardhje ministri spanjoll i Punëve të Jashtme, socialisti Josep Borrell, në një intervistë për të përditshmen “El Pais”.
“Për fat të keq, Shengen po fillon të zhduket. Franca, Gjermania dhe Italia kanë rivendosur kontrolle në kufijtë e tyre për shkak të krizës migratore”, deklaroi Borrell.
Italia dhe ministri i Brendshëm i ekstremit të djathtë, Matteo Salvini refuzojnë rregullisht pritjen në tokën e tyre të migrantëve të shpëtuar duke kërkuar që ata të shpërndahen në shtetet e tjera anëtare të Bashkimit Europian.
Në vende të tjera, linja e ashpër e imigracionit po fiton terren, nxitur nga rritja e partive të ekstremit të djathtë.
Spanja ka pranuar, që prejardhjes në pushtet më 1 qershor të socialistit, Pedro Sanchez, të presë në portet e saj disa anije të OJV-ve të refuzuara nga Italia.
“Deri tani, e djathta ka vendosur tezat e saj. Merita e Spanjës, është të shënojë një kthesë në debatin migrator me episodin e Aquarius”, konfirmoi Josep Borrell.
Ministri, ish-president i Parlamentit Europian, mendon se nëse Italia zgjedh të ashpërsojë politikën migratore, ajo mund të marrë rrugën drejt dezintegrimit të Europës.
“Problemi migrator është armiku më i madh i BE-së. Ai mund të shkaktojë një krizë më të rëndë se ajo e euros, që tronditi ekonominë e BE-së në fillim të viteve 2010 dhe goditi për një kohë të gjatë vendet e pjesës jugore të Europës, përfshirë dhe Spanjën.
“Një krizë ekonomike mund të zgjidhet me burime financiare dhe ndryshime institucionale, por problemet e imigracionit janë më të thella. Ata prekin vlerat, identitetet, kulturat, kapacitetet e asimilimit të shoqërive”, theksoi Josep Borrell.
Sipas Organizatës Ndërkombëtare për Migracionin (OIM), 61 557 persona kanë mbërritur në Europë që prej fillimit të vitit. Rreth 1 422 kanë humbur jetën ose janë zhdukur në Mesdhe.
Greqia është porta e parë hyrëse e ndjekur nga Spanja dhe Italia./
/ec/






















