Ballina Aktualitet

Ambasadori i Turqisë: Grushti i shtetit në 2016 dështoi prej vendosmërisë së popullit turk

TIRANË, 14 Korrik /ATSH-Gjergji Mima/ – Ambasadori i Republikës së Turqisë në Tiranë, Murat Ahmet Yörük, në prag të përvjetorit të dytë të tentativës për grusht shteti në Turqi, deklaron se kjo tentativë dështoi sepse organizatorët e kësaj tentative nuk kishin llogaritur përkushtimin, vullnetin e çeliktë të popullit tonë, vendosmërinë e tij për t’i dalë për zot Presidentit, flamurit, ezanit dhe shtetit.

“Natën e 15 korrikut 2016 në Turqi një grup me përkatësi të FETO-s i organizuar brenda Forcave të Armatosura, tentoi të eliminojë rendin kushtetues demokratik duke përdorur dhunën dhe forcën. Është vërtetuar qartësisht se 15 Korriku ishte planifikuar nën drejtimin e kreut të FETO-s, Fetullah Gülen, se u zbatua nga elementë brenda forcave të armatosura nëpërmjet imamëve civilë, se këta imamë civilë para dhe gjatë tentativës për grusht shteti kanë pasur lidhje dhe kanë kërkuar udhëzime nga lideri i organizatës terroriste Fetullah Gülen që jeton në Amerikë”, tha ai në një deklaratë për mediat.

“Në deklaratën e parë të Kryesisë së Shtabit të Përgjithshëm është theksuar se në tentativë ishin përfshirë mbi 8000 vetë personel ushtarak që kishin depërtuar në ushtri, se ishin përdorur 35 avionë, përfshirë edhe avionë ushtarakë, 37 helikopterë, 74 tanke, 246 mjete të blinduara dhe rreth 4000 armë të lehta që u përkisnin Forcave të Armatosura”, tha ambasadori i Turqisë.

Ai tha se “forcat e sigurisë që kundërshtuan tentativën për grusht shteti të FETO-s dhe shtetasit tanë heronj që dolën rrugëve për të reaguar u sulmuan me avionë, helikopterë, tanke, mjete të tjera të blinduara dhe armë të lehta. Ndërkaq 251 vëllezër tanë (policë, ushtarakë dhe civilë) ranë dëshmorë, më shumë se 2000 shtetas të tjerë u lënduan”.

“Tentativa Fetoiste për grusht shteti synoi eliminimin me dhunë të rendit kushtetues demokratik në Turqi. Në këtë aspekt, vendi ynë ishte përballë me njërin nga kërcënimet më të hapura dhe të drejtpërdrejta, ndoshta më seriozin, që mund të ndeshë një shoqëri demokratike. Organet kompetente që venë në jetë sovranitetin në emër të popullit, të gjitha partitë politike që janë elemente të pazëvendësueshëm të shoqërisë demokratike, organizatat e shoqërisë civile, organet e shtypit dhe forcat e sigurisë që veprojnë me urdhrat dhe direktivat e autoritetit të ligjshëm demokratik, të gjithë këta realizuan së bashku rezistencën për sovranitet dhe demokraci, deklaroi ambasadori turk.

“Duke e përmbledhur mund të themi se kjo tentativë tradhtare për grusht shteti ishte përgatitur duke llogaritur që, duke asgjësuar Republikën e Turqisë dhe rendin kushtetues, të gjunjëzonte popullin turk ose ta çonte vendin drejt një lufte civile”, tha ambasadori. /a.g/

Sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”, i ndryshuar, ndalohet kopjimi, publikimi, shpërndarja dhe tjetërsimi pa cituar Agjencinë Telegrafike Shqiptare.
Artikulli paraprakAlpet shqiptare, atraksioni i veçantë turistik
Artikulli tjetër“Game of Thrones” me 22 nominime udhëheqin në “Emmy Awards”