Akte nënligjore për të miturit në konflikt me ligjin

TIRANË, 10 korrik/ATSH/- Shumë shpejt, Këshilli i Ministrave do të kalojë aktet nënligjore për drejtësinë për të miturit, çka do të parashikojë që t’i integrojë këta të fundit përmes dënimeve alternative dhe duke përcaktuar çdo strukturë në mbrojtjen e fëmijëve.

Ministrja e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, Ogerta Manastirliu bëri të ditur gjatë një takimi të zhvilluar me përfaqësues të kabinetit qeveritar, ambasadoren e BE-së në Tiranë Romana Vlahutin si dhe me grupet e interesit, se për herë të parë do të kalohet një projektvendim nga Këshilli i Ministrave për të miturit që dyshohen të jenë përfshirë në vepra penale nën përgjegjësinë moshore.

“Kemi shumë për të bërë në raport me forcimin e sistemit por ajo që jemi duke realizuar  për herë të parë, jemi duke plotësuar aktet nënligjore të tij me një vendim që kalon shumë shpejt nga Këshilli Ministrave për mbrojtjen e fëmijëve në moshë të mitur. Projektvendimi parashikon dhe përcakton çdo strukturë që përfshihen në mbrojtjen e fëmijëve që dyshohet të jetë përfshirë në vepër penale nën moshën e përgjegjësisë. Ky vendim do të përcaktojë gjithashtu planet individuale dhe strukturën që do të ndiqet për mbrojtjen e fëmijëve, për çdo rast dhe çdo fëmijë”, tha Manastirliu.

Prej 1 janarit 2018 kanë hyrë në fuqi ndryshimet e Kodit Penal për të miturit në konflikt me ligjin që trajtohen në bazë të Kodit Penal për të miturit dhe jo si deri më tani me të njëjtin kod si të rriturit. Ky është një ndryshim i sjellë në bazë të reformës në drejtësi.

Referuar ndryshimeve, ajo që synohet me Kodin është aplikimi i dënimeve alternative kur bëhet fjalë për kryerjen e veprave penale.

z.tosku//m.m/

 

 

 

 

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.