LONDËR – “Jaguar” i kërcënuar në rast të një Brexit

LONDËR, 5 korrik /ATSH-AFP/ – Investimet e parashikuara nga prodhuesi i makinave “Jaguar Land Rover” (JLR) në Britaninë e Madhe do të jenë të kërcënuara nëse Brexit shkakton rritjen e të drejtave doganore, theksoi drejtori i përgjithshëm një ditë para një takimi vendimtar të qeverisë.

”Ne dhe furnizuesit tanë po përballemi me një të ardhme të paparashikueshme nëse negociatat për Brexit nuk përfundojnë me marrëdhënie tregtare pas të drejta doganore dhe pa pengesa me BE-në dhe një akses pa shtrëngime në tregun unik”, theksoi Ralf Speth, drejtori i përgjithshëm i JLR, në deklaratat e publikuara sot në shtypin britanik.

I përbërë nga shoqata e dy markave prestigjioze britanike të makinave, prodhuesi ”Jaguar Land Rover” (JLR) i përket grupit indian “Tata Motors”.

Sipas Speth, “një marrëveshje jo e mirë për Brexit do t’i kushtonte JRL-së më shumë se 1,2 miliardë stërlina përfitime në vit (1,35 miliardë euro)”.

“Si pasojë, ne do të duhet të rishikojmë në mënyrë drastike planin tonë të shpenzimeve. Ne kemi shpenzuar 50 miliardë stërlina në Britaninë e Madhe këto pesë vitet e fundit dhe parashikojmë të shpenzojmë 80 miliardë më shumë gjatë pesë viteve të ardhshme”, theksoi drejtori i përgjithshëm duke shtuar kjo do të ishte kërcënim nëse do të duhet të përballemi me një rezultat jo të mirë të negociatave.

Prodhuesi punëson rreth 40 000 persona në Britaninë e Madhe, 10 000 prej të cilëve në Solihull, pranë Birminghamit, ku parashikon një investim domethënës për prodhimin e modeleve të reja të makinave sportive./ /ec/  a.jor.

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.