TIRANË, 27 qershor/ATSH-Maela Marini/ – “Të gjithë së bashku duhet të fokusohemi te përmbushja e prioriteteve të vendosura nga Bashkimi Europian për të kthyer në sjellje të qëndrueshme dhe gjithnjë transparente zbatimin e ligjit dhe eficencën maksimale të reformës në drejtësi”.
Përmes një deklarate për shtyp, nënkryetari i LSI-së, Luan Rama deklaroi sot se “përpjekjet qeverisë për ta paraqitur si ditë feste vendimin e djeshëm të Ministrave të Jashtëm të BE-së janë përpjekja e radhës për t’u tallur me shqiptarët”.
“Kjo dëshmon edhe njëherë se kjo qeveri nuk ka sensin për të bërë një reflektim dhe për të parë me realizëm se çfarë është bërë gabim në funksion të së ardhmes europiane të Shqipërisë”, tha nënkryetari i LSI-së.
Lufta kundër krimit, reforma në drejtësi, reforma në administratën publike, mbrojtja e të drejtave të njeriut dhe e të drejtës së pronës, sipas Luan Ramës, mbeten kushte që qeveria shqiptare dhe e gjithë klasa politike duhet t’i shohë me realizëm për të caktuar se çfarë duhet të bëjë për përmbushjen e tyre.
Sipas tij, të gjitha institucionet e BE-së që monitorojnë dhe ndihmojnë procesin e reformave në Shqipëri e njohin realitetin në çdo detaj.
“Përpjekja për të fshehur të gjithë këtë dështim pas akuzave ndaj opozitës nuk është gjë tjetër vetëm shprehje e arrogancës, verbërisë dhe papërgjegjshmërisë politike për t’ia faturuar koston e qeverisjes së krimit, opozitës. Është papërgjegjshmëri t’i japësh opozitës meritën e ndikimit kaq të madh në vendimmarrrjen e ministrave të BE-së. Kjo do të thotë të fyesh e tallesh me vetë Këshillin Europian. Ata nuk kanë nevojë për zërin e opozitës, pasi kanë një sistem të tërë të marrjes së informacionit në Shqipëri”, tha Luan Rama.
Vendimi për të mos çelur negociatat, sipas tij, është reflektimi i sjelljes së papërgjegjshme në aventurë me interesat e vendit nga qeveria shqiptare.
“LSI e ka bërë të qartë që do të ishte e udhës të mbërrihej në një pakt kombëtar me prioritet vetëm integrimin europian të Shqipërisë dhe institucionalizimin e dialogut politik si kriterin e parë bazë”, tha ai. /j.p/






















