TIRANË,19 qershor /A.ALLA ATSH/ – Seanca dëgjimore në komisionin e mediave për Teatrin ku e ftuar është ministrja e Kulturës, Mirela Kumbaro ka nisur me debate të ashpra për shkak të pranisë së kryetarit të bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj.
Kryetarja e komisionit, Albana Vokshi i kërkoi kryetarit të Bashkisë të largohet pasi nuk është i ftuar në këtë seancë dëgjimore.
Kreu i bashkisë Veliaj iu kundërpëgjigj Vokshit se ”erdha në seancën e sotme pasi nesër do të jem në Barcelonë ku do të marr një çmim për sheshin ”Skënderbej”.
Gjithashtu, Veliaj iu përgjigj Vokshit: “Keni frikë të dëgjoni të vërtetën pasi çdo projekt që ju keni sulmuar ka dalë më i bukur si pazari, sheshi dhe teatri do të jetë një projekt i suksesshëm”.
Vokshi shtoi se ”duhet të largohesh dhe të mbash detyrën si kryetar bashkie pasi unë jam kryetare komisioni dhe kam votuar me gjashtë vota nga opozita që në seancë dëgjimore të jetë prezente ministrja e Kulturës, Mirela Kumbaro”.
Ndërkohë, seanca vazhdon me debate mes kryetares së komisionit Albana Vokshi dhe kryetarit të bashkisë Tiranë Erion Veliaj. Vokshi kërkoi ndërhyrjen e gardës për të larguar nga salla e komisionit të Kuvendit, kryebashkiakun Veliaj. /j.p/























