Ballina Kosova

Libri biografik kushtuar presidentit Thaçi promovohet në Kanada

PRISHTINË, 14 qershor/ATSH/ – Libri biografik kushtuar Presidentit Hashim Thaçi “New State, Modern Statesman”, u promovua në “Parson Centre” në Ottawa, në kryeqytetin e Kanadasë.

Në ceremoninë e organizuar me këtë rast, ku ishte i pranishëm edhe Presidenti Hashim Thaçi, për librin biografik, por edhe për periudhat e rëndësishme për Kosovën që përshkruhen në këtë libër, diskutuan në panel edhe gjenerali Maurice Baril, James Wright, si dhe deputetja kanadeze Anita Vandenbeld.

Presidenti Thaçi foli për angazhimin e Kanadasë për t’i dhënë fund luftës në Kosovë, për të ndihmuar refugjatët dhe pastaj për të ndërtuar paqen në Kosovë, duke u angazhuar edhe në rrafshin ushtarak edhe në atë politik.

“Jemi në anë të ndryshme në kuptimin gjeografik, por jemi në anën e njëjtë me vlerat dhe parimet që ndajmë”, – theksoi Thaçi.

Duke folur për angazhimin e Kosovës për të ndërtuar paqe të qëndrueshme në vend dhe rajon, si dhe për aspiratat për anëtarësim në NATO dhe BE, Thaçi theksoi se “… tani jemi duke punuar për të filluar kapitullin e fundit të dialogut mes Kosovës dhe Serbisë, për të ndërtuar marrëdhënie europiane mes dy vendeve dhe për t’i hapur rrugë perspektivës euroatlantike për Kosovën. Duhet të jetë një proces në të cilin të gjitha palët do të ndihen që kanë fituar, përfshirë edhe bashkësinë ndërkombëtare. Prandaj duhet një angazhim i gjithanshëm”.

Ndërsa, gjenerali Baril, i cili ka udhëhequr me forcat kanadeze në vitin 1999, duke folur për periudhat e ndryshme që mbulon libri biografik, u ndal te ndërhyrja e NATO-s në Kosovë dhe u shpreh se pasi bota kishte parë se çfarë bëri Millosheviçi në Kroaci dhe në Bosnjë, nuk mund të lejonte që ta bënte të njëjtën gjë në Kosovë.

“Ndërhyrja ka qenë e drejtë dhe i ka hapur rrugën ndërtimit të shtetit të Kosovës”, – theksoi gjenerali Baril.

Diplomati kanadez James Wright, i cili ka shërbyer si diplomat i lartë në vitet para dhe pas luftës në Kosovë, tha se i gjithë spektri politik kanadez e kishte përkrahur ndërhyrjen në Kosovë dhe misionin paqeruajtës në Kosovë.

Ai rikujtoi angazhimet diplomatike për të përfunduar luftën në Kosovë dhe për të gjetur zgjidhje për statusin e Kosovës.

“Lidershipi i Kosovës i përkrahte angazhimet e bashkësisë ndërkombëtare për paqe. Ishin Serbia dhe Rusia ato që po pengonin”, – tha ish-diplomati Wright.

“Kosova tani është në rrugën e duhur, drejt anëtarësimit në NATO dhe në BE”, – shtoi ai.

Kurse deputetja kanadeze, Anita Vandenbeld, njëherësh kryesuese e Grupit të Miqësisë Kanada-Kosovë në parlamentin kanadez, e cila ka punuar edhe në Kosovë në kuadër të Misionit të OSBE-së, duke folur për zhvillimin e Kosovës pas lufte, u shpreh se është mbresëlënëse se çfarë ka bërë Kosova që nga përfundimi i luftës në ndërtimin e një shoqërie që meriton vendin në NATO e në BE.

“Kur e shikon ndarjen gjeopolitike të botës, Kosova është shtet model për ndërtimin e vlerave perëndimore”, – tha deputetja Vandenbeld. /KosovaPress//k.s/

Sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”, i ndryshuar, ndalohet kopjimi, publikimi, shpërndarja dhe tjetërsimi pa cituar Agjencinë Telegrafike Shqiptare.
Artikulli paraprakITALI – Roma nuk do të ratifikojë marrëveshjen e tregtisë së lirë me Kanadanë, CETA
Artikulli tjetërFUTBOLL- CAS përjashton “Skënderbeun” nga Kupat e Europës, reagon klubi