Ballina Lajme nga Vendi

Pas publikimit të tezës së matematikës, MASR kërkon nisjen e hetimeve

TIRANË, 13 qershor/ATSH/ – Pas publikimit në rrjetet sociale të testit të matematikës për maturën shtetërore të zhvilluar sot, ka reaguar Ministria e Arsimit duke kërkuar nisjen e hetimit për personat përgjegjës.

“Ministria e Arsimit, Sportit dhe Rinisë u informua nga rrjetet sociale dhe mediet on-line lidhur me publikimin e disa fotove nga Testi i Matematikës që u zhvillua në të gjithë vendin nga ora 10:00 – 12:30. Konkretisht nga adresa në ‘Facebook’ e një qytetari dhe të një deputeti janë postuar foto të testit të matematikës, ndërsa testimi po zhvillohej në të gjithë vendin”, – thuhet zyrtarisht.

Më tej, kërkohet nisja e hetimit dhe vënia përballë ligjit të shkelësve të saj.

Ministria e Arsimit, Rinisë dhe Sporteve e konsideron shkelje të rëndë të ligjit Nr.69/2012 “Për sistemin arsimor parauniversitar në RSH” dhe të akteve nënligjore, kopjimin e plotë apo të pjesshëm si dhe shpërndarjen dhe publikimin e testit. Për këtë arsye i kërkojmë organit të Prokurorisë të fillojë hetimin e menjëhershëm të dy rasteve të bëra publike online, duke mundësuar vënien përballë ligjit të shkelësve, kushdo qofshin ata”.

Testet e maturës janë shpërndarë në 38 DAR dhe ZA, 206 janë mjediset ku janë zhvilluar provimet për 37 mijë maturantë të mbikëqyrur nga rreth 4300 administratorë.

/z.tosku/ /a.g/

Sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”, i ndryshuar, ndalohet kopjimi, publikimi, shpërndarja dhe tjetërsimi pa cituar Agjencinë Telegrafike Shqiptare.
Artikulli paraprakLinjë e re hekurudhore Durrës-Lin-Pogradec
Artikulli tjetërITALI – Më shumë se 900 migrantë zbarkojnë në Siçili