Linjë e re hekurudhore Durrës-Lin-Pogradec

245

Rrjeti hekurudhor shqiptar pjesë e sistemit të transporteve të korridorit 8-të

TIRANË, 13 qershor /ATSH/ – Durrësi, një nga nyjet kryesore të rrjetit hekurudhor në vendin tonë do t’i nënshtrohet rivitalizimit modern, me impakt të drejtpërdrejtë në rritjen ekonomike, qarkullimin e mallrave dhe njerëzve.

Zv.ministri i Infrastrukturës dhe Energjisë, Artan Shkreli u shpreh të mërkurën në prezantimin e projekteve investuese nga qeveria për Qarkun e Durrësit, se një nga linjat kryesore hekurudhore, Durrës-Pogradec që zgjatet më tej në Lin-Maqedoni është një projekt i ri që parashikon rehabilitimin e plotë të këtij rrjeti sipas standardeve më të mira.

“Kemi hyrë në një fazë të tillë që projektet zhvillimore të sistemit hekurudhor nuk projektohen më vetëm për linja ndërqytetëse, por lidhen me vende fqinje që na rrethojnë dhe janë pjesë e korridoreve ndërkombëtare, që janë projektuar për t’u bërë në vendet e Ballkanit Perëndimor”, – tha Shkreli.

Në shkurt të vitit 2018, në një nga mbledhjet e rëndësishme që u zhvillua në Londër, ku morën pjesë edhe përfaqësues të qeverisë shqiptare, është vendosur që 30 miliardë euro do të disbursohen për të gjithë sistemin e transporteve të korridorit 8, ku bën pjesë edhe sistemi hekurudhor. “Ndaj edhe ne kemi filluar me rehabilitimet e rrjeteve hekurudhore që ka mbi dy–tri dekada që nuk është vënë dorë”, – u shpreh Shkreli.

Sipas tij, aktualisht ne kemi përfunduar studimin e fizibilitetit për të gjithë rrjetin, Durrës–Pogradec-Lin dhe ka filluar projekti i detajuar, i cili përfundon në fund të kësaj vere për pjesën nga Durrësi në Rrogozhinë, e cila konsiderohet si një projekt i rëndësisë së lartë.

Këto projekte, vijoi ai, janë vlerësuar edhe nga institucionet ndërkombëtare të cilat edhe  do të mbështetin financimin e rindërtimit të këtyre rrjeteve.

“Në rrjetin hekurudhor Durrës-Pogradec-Lin-Maqedoni, vetëm pjesa Lin-Maqedoni, 2.8 km do të ndërtohet trase e re, ndërsa pjesa maqedonase është 40 km. Projekti për rehabilitimin e rrjetit të amortizuar në këtë segment do të japë impakt në rritjen e shpejtësisë së lëvizjes së trenave deri 120 km/orë”, – tha zv.ministri Shkreli.

Sipas tij hekurudha e Pogradecit është një  projekt i realizuar shumë mirë në kohë, por investimi i ri në këtë rrjet do të kthejë rrjetin në standarde ndërkombëtare.

Më tej Shkreli theksoi se, rëndësinë e daljes së rrjetit hekurudhor përtej kufijve me vendet fqinjë. “Rrjeti hekurudhor Tiranë-Durrës-Shkodër takon rrjetin malazez, projekti Durrës-Pogradec–Lin takon pjesën maqedonase dhe po studiohen termat e referencës për të dalë në Korçë dhe Kapshtisë që do të lidhet me rrjetin hekurudhor të Greqisë”, – tha ia.

Linja Durrës-Pogradec-Lin që kalon në Maqedoni, e lidh këtë rrjet hekurudhor edhe me Bullgarisë duke u bërë pjesë e rrjetit transeuropian që do të ketë ndikim edhe zhvillimin e aktiviteteve portuale në vendet ku kalon.

Sipas tij, rehabilitimi i trasese deri në Rrogozhinë do të marrë një financim prej 85 milionë euro dhe ajo Tiranë-Durrës 88 milionë euro. /e.xh/ /a.g/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.