TIRANË, 12 qershor/ATSH/-Reforma e nisur në administratën publike që përbën një nga prioritetet e qeverisë për rrugëtimin e vendit në BE, u prezantua nga zv-kryeministrja Senida Mesi në Ministerialin e Mirëqeverisjes në Ballkanin Perëndimor, të mbajtur në Bosnje-Hercegovinë.
Konferenca e zhvilluar me fokus përqasjen strategjike të Reformës në Administratën Publike (PAR), bëri bashkë ministrat përgjegjës të rajonit dhe zyrtarë të lartë, koordinatorë kombëtarë të Fondeve IPA nga Ballkani Perëndimor, zyrtarë të administratave shtetërore që merren direkt me PAR-in, menaxhimin e financave publike dhe integrimin evropian, si dhe përfaqësues të lartë nga Komisioni Europian (KE), OECD/SIGMA, organizata ndërkombëtare dhe partnerë të ndryshëm.
Gjatë fjalës së saj në panel, zv-kryeministrja Mesi e cilësoi reformën në Administratën Publike si një prej prioriteteve kyçe të qeverisë shqiptare për rrugëtimin e vendit drejt Bashkimit Europian (BE), e nënvizoi faktin se kjo reformë e ndërmarrë përbën një angazhim të fortë ndaj qytetarëve, komunitetit të biznesit dhe partnerëve ndërkombëtarë, po ashtu. “Besoj fuqishëm se një administratë publike e depolitizuar që ka në bazë dhe në thelb meritokracinë, do jetë e ardhmja dhe suksesi për vendin tonë”, theksoi ndër të tjera ajo.
Duke u ndalur tek procesi i derregullimit dhe ristrukturimi i agjencive dhe institucioneve të varësisë, Mesi tha këto të fundit kanë sjellë rezultat.
“Nëpërmjet proceseve integruese dhe të digjitalizimit, kemi rimodeluar mënyrat e ofrimit të shërbimeve publike. ADISA aktualisht ofron 535 shërbime të standardizuara dhe të integruara tek më tepër se 800 mijë qytetarë dhe planifikojmë ta zgjerojmë atë në ta gjithë vendin. Ndërsa nëpërmjet portalit qeveritar e-albania ofrohen aktualisht 551 shërbime elektronike dhe 774 shërbime informuese”, u shpreh Mesi.
Përsa i përket strategjisë për Reformën në Administratën Publike, zëvendës-kryeministrja Mesi bëri të ditur se është finalizuar aktualisht “Plani i Veprimit 2018-2020” nëpërmjet konsultimeve me shoqërinë civile dhe komunitetin e donatorëve, dhe se ky dokument i rishikuar do të udhëheqë reformën gjatë 2 viteve të ardhshme. Mesi nënvizon se PAR është një proces që vazhdon dhe që beson se çdo aktor i përfshirë në vend do të ngelet i motivuar për realizimin e sfidave të ardhshme dhe arritjen e këtij prioriteti kyç në rrugëtimin europian të Shqipërisë.
Shkolla Rajonale e Administratës Publike (ReSPA) është një organizatë ndër-qeveritare, e cila synon rritjen e bashkëpunimit rajonal. /z.tosku/ j.p/























