TEHERAN, 7 qershor /ATSH-AFP/ – Ekspertët e shteteve, që vazhdojnë të jenë pjesë e marrëveshjes për programin bërthamor iranian, ndodhen sot për diskutime në Teheran.
Parashikuar prej shumë kohësh, takimi, me dyer të mbyllura, zhvillohet në kuadër të pasigurisë për të ardhmen e marrëveshjes që prej tërheqjes së SHBA-së në muajin maj dhe tensioneve diplomatike të shkaktuara nga njoftimi i bërë dje nga Irani të një plani që parashikon rritjen e kapaciteteve për pasurimin e uraniumit.
“Bëhet fjalë për një takim të Komisionit të përbashkët për marrëveshjen bërthamore iraniane në nivel ekspertësh të Iranit, të grupit E3 (Gjermani, Francë, Britani e Madhe) dhe të shërbimit diplomatik të Bashkimit Europian, të Kinës dhe Rusisë”, theksoi një burim diplomatik.
“Ky është një takim teknik me një plan ekonomik”, shtoi i njëjti burim.
Që prej tërheqjes së SHBA-së nga marrëveshja ndërkombëtare për programin bërthamor iranian, arritur në korrik 2015 në Vjenë, Kina, Rusia dhe Bashkimi Europian shprehën iniciativën e tyre për të shpëtuar këtë marrëveshje.
Por, rivendosja e sanksioneve amerikane kundër Iranit ka shkaktuar largimin e investitorëve të huaj të bendosur në vend pas vitit 2015./ /ec/ a.jor.













