PRISHTINË, 6 Qershor /ATSH/.- Raportuesi për Kosovën në Parlamentin Europian, Igor Soltes, gjatë qëndrimit në Prishtinë tha se liberalizimi i vizave është vonuar shumë, por sipas tij, për këtë nuk duhet të fajësohet Bashkimi Europian.
Në një konferencë për shtyp Soltes tha se liberalizimi i vizave duhet të përfundojë në të njëjtën kohë me Ukrainën dhe Gjeorgjinë që tashmë kanë fituar liberalizimin e vizave, ndërsa është shprehur i bindur se liberalizimi i vizave do të ndodhë në fund të këtij viti.
“E kuptoj se ka pritje mjaft të mëdha nga publiku në Kosovë për liberalizimin e vizave pas demarkacionit me Malin e Zi. Parlamenti Europian gjithmonë është në favor të liberalizimit të vizave për Kosovën, por varet shumë edhe nga raporti i Komisionit Europian për këtë çështje”, theksoi ai duke shtuar se shpreson se rekomandimet nga Komisioni Europian do të jenë pozitive.
“Ky do të jetë njëkohësisht një mesazh shumë i rëndësishëm sa i përket Komisionit Europian, për të dhënë dritën e gjelbër për liberalizimin e vizave dhe sinqerisht shpresoj që do të ndodhë deri në fund të këtij viti”, theksoi Soltes.
Ndërsa për dialogun mes Prishtinës dhe Beogradit, Soltes tha se “pret nga palët të përfundojnë këtë proces me marrëveshje”.
“Normalisht që ky dialog duhet të vazhdojë sa më shpejt që është e mundur dhe dëshiroj që të përfundojë me një marrëveshje mes të dyja palëve. Jemi shumë të vetëdijshëm që kjo është një pyetje mjaft e ndjeshme, por që ka një rëndësi shumë të madhe”, deklaroi ai.
Po ashtu, ai përmendi edhe fushat në të cilat Kosova duhet të tregojë progres, në mënyrë që të përmbush kërkesat dhe mangësitë që kanë dalë nga Raporti i Progresit për Kosovën.
Sipas tij, duhet të ketë lëvizje edhe në fusha të tjera, si në atë të prokurimit publik, çështjeve buxhetore dhe reformimit të administratës publike.
Raportuesi për Kosovën në PE foli edhe rreth platformës së prezantuar nga qeveria e Kosovës, e cila nuk është mbështetur fillimisht nga opozita. Ndërsa nuk specifikoi nëse kjo e fundit do të ndikojë në çështjen e vizave, por tha se është i nevojshëm uniteti politik.
Sa i përket takimeve me personalitetet e shtetit, nëse është diskutuar për incidentet që kanë ndodhur ndaj komunitetit serb, Soltes tha se është kërkuar hetim dhe raportim për këto inicidente./KosovaPress/k.s/























