Ballina Bota

ITALI – Conte paraqet politikën populiste në parlament

ROMË, 5 qershor /ATSH-AFP/ – Kryeministri i ri italian, Giuseppe Conte mbrojti sot me fanatizëm para parlamentit politikën populiste që ai synon të ndërmarrë tashmë, luftën kundër “biznesit” të imigracionit, rimëkëmbjen e ekonomisë dhe hapjen me Rusinë.

“Nëse populizmi nënkupton aftësinë për të dëgjuar nevojat e personave, atëherë ne e kërkojmë këtë gjë”, pohoi Conte, i cili mori të premten drejtimin e qeverisë së parë populiste në një shtet themelues të Bashkimit Europian.

Rishtar në politikë, i panjohur nga italianët dy javë më parë, avokat, 53 vjeç, ai mbajti fjalimin e parë politik, përpara se të kërkonte votëbesimin e parlamentit.

I rrethuar nga dy zëvendëskryeministrat e fuqishëm, Luigi Di Maio, lideri i Lëvizjes Pesë Yjet (L5Y, antisistem), dhe Matteo Salvini, udhëheqësi i Ligës (ekstremi i djathtë), Conte që në fillim njoftoi se do të ishte garantuesi i kontratës qeveritare të nënshkruar mes këtyre dy palëve kryesore të koalicionit.

“Unë jam një qytetar i cili u deklarua i gatshëm për të përmbushur këtë përgjegjësi të presidentit të Këshillit dhe për të garantuar kontratën e ndryshimit”, pohoi ai.

“Jam i vetëdijshëm për përgjegjësinë që kam marrë dhe shumë i vetëdijshëm për kompetencat që Kushtetuta i jep presidentit të Këshillit”, vijoi ai.

Conte konfirmoi objektivat që përfshihen në kontratën e qeverisë së tij, uljen e taksave, luftën kundër imigracionit të jashtëligjshëm, të ardhurat për më të varfrit dhe rinegocimin e disa rregullave europiane, duke nisur me ato që lidhen me të drejtën e përfitimit të azilit të parashikuar në marrëveshjen e Dublinit, që ndikon kryesisht në përgjegjësinë e akomodimit të migrantëve në shtetet e linjës së parë si Italia./ /v.b/ a.jor.

Sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”, i ndryshuar, ndalohet kopjimi, publikimi, shpërndarja dhe tjetërsimi pa cituar Agjencinë Telegrafike Shqiptare.
Artikulli paraprakMiratohet projektrezoluta për vlerësimin e punës së ERE-s për vitin 2017
Artikulli tjetërJERUZALEM – Netanyahu: Vendimi iranian për pasurimin e uraniumit synon shkatërrimin e Izraelit