TIRANË, 5 qershor/ATSH-Maela Marini/ – Ndërhyrjet në sistemin e ujitjes dhe kullimit do të ndikojnë në rritjen e prodhimit bujqësor, por edhe do të reduktojnë rrezikun nga përmbytjet, ndaj bashkia e Roskovecit është fokusuar me të gjitha mjetet tek këto investime.
Në një prononcim për ATSH-në, kryetarja e Bashkisë së Roskovecit, Majlinda Bufi ndalet tek ndikimi transformues që do të kenë këto ndërhyrje në ndihmë të fermerëve të zonës.
Në vijim të punës për rehabilitimin e kanaleve kulluese dhe vaditëse, bashkia e Roskovecit rehabilitoi kanalin kullues K252, në Marinëz.
Ky kanal kullues me gjatësi rreth 3.8 km, sipas Bufit, i vjen në ndihmë të gjithë fermerëve të zonës. Nga rehabilitimi i këtij kanali përfitojnë rreth 246 fermerë dhe mbulohet një sipërfaqe prej 230 ha tokë.
Kryetarja e Bashkisë theksoi se “vlera e këtij investimi është afërsisht 1 403 707 lekë”. “Garantimi i cilësisë dhe jetëgjatësia e investimit janë prioritet i punës sonë”, shprehet ajo.
Një tjetër investim i kësaj bashkie është edhe mbrojtja e stacionit të pompimit të Hoxhenjeve në Jagodinë.
Ky investim është planifikuar nga të ardhurat e bashkisë me vlerën 3,134,232 lekë.
“Fermerët e Suk 1, Suk 2 dhe Jagodinës janë përfituesit direkt të këtij investimi. Ky investim realizohet për të mbrojtur stacionet e pompimit nga vërshimet e lumit Seman”, shprehet Bufi.
Bashkia Roskovec është duke ndërhyrë në të gjithë kanalet vaditëse për të realizuar prita të cilat do t’u vijnë në ndihmë fermerëve gjatë sezonit të vaditjes.
Ndërhyrje të tilla do të realizohen dhe në njësitë e tjera Administrative deri në rehabilitimin e plotë të të gjithë kanaleve kulluese dhe vaditëse. /j.p/




























