FOTO- Himara me nënstacion të ri elektrik

TIRANË, 3 Qershor/ATSH/.- “Nënstacioni i ri elektrik 110/35/20 kV në Himarë është një nga investimet më serioze që janë bërë vitet e fundit në energjetike në gjithë zonën e bregut”, deklaroi ministri i Infrastrukturës dhe Energjisë, Damian Gjiknuri.

Gjatë inspektimit të punimeve në këtë nënstacion elektrik nga Operatori i Sistemit të Transmetimit, Gjiknuri theksoi se “ndryshimi këtu është thelbësor, pasi mjafton që qytetarët të kujtojnë disa vite para, furnizimi me energji në këtë zonë ka qenë problematik. Këto probleme nuk ekzistojnë më, por ne po i paraprijmë zhvillimeve të pritshme turistike për gjithë zonën e bregut”.

Administratori i Operatorit të Sistemit të Transmetimit Klodian Gradeci tha se “investimi është pjesë e bashkëpunimit shqiptaro-gjerman, falë mbështetjes me kredi të butë nga banka KFW”.

Duke sqaruar se financimi ka nisur që me ndërtimin e Unazës së Jugut 110 kv, Gradeci sqaroi se “faza e fundit ishin dy nënstacionet, ai i Orikumit dhe Himarës me vlerën 6.3 milion euro. Investimi garanton sigurinë e furnizimit dhe cilësinë e tensionit për të gjithë këtë zonë”.

Ndërsa administratori i OSHEE-së Adrian Çela njoftoi se pas këtij investimi nga OST, kompania e shpërndarjes nis në Shtator ndërhyrjen për rrjetin e ri 20 kV që prek gjithë vijën bregdetare.

“Kemi arritur të garantojmë një sezon turistik normal për të gjithë pushuesit. Ky është viti i tretë që kemi aplikuar dhe njësitë e gatishmërisë. Pra, skuadra speciale nga qytete të tjera të Shqipërisë alokohen gjatë 3 muajve të sezonit nga Velipoja, përgjatë gjithë vijës bregdetare, Durrës, Shëngjin, Golem, Vlorë deri në Sarandë”, nënvizoi Çela.

Çela theksoi se ky investim i paraprin një investimi tjetër të madh që do të nisë Operatori i Shpërndarjes për të cilin puna do të nisë në muajin shtator.

“Është një investim në shifrën rreth 16 milion euro vetëm për zonën e bregdetit ku është Himara, Dhërmiu, Qeparoi, Vunoi, Livadhja, Jala e Palasa do bëhen 7 fidera të rinj”, tha Çela./k.s/a.g/

 

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.