Ballina Kosova

Në vjeshtë aksion për pastrimin e Kosovës

PRISHTINË, 30 Maj/ATSH/.- “Ftoj të gjithë, institucionet e BE-së, gjithë partnerët, KFOR-in, FSK-në, Policinë, Zjarrfikësit, njësitë rajonale dhe rajonale të pastrimit të mbeturinave, të bëhen bashkë, që në vjeshtë të bëjmë një pastrim në gjithë Kosovën të mbeturinave që  20 vjet”.

Ky ishte mesazhi i Kryeministrit Haradinaj në ditën e parë të Konferencës së Nivelit të Lartë mbi Zhvillimin e Qëndrueshëm, që i dedikohet mjedisit, të zhvilluar sot në Prishtinë.

Në fjalën e tij, Haradinaj theksoi se gjendja në Kosovë nuk është e kënaqshme sa i përket çështjeve mjedisore, por ky është momenti i fundit kur ne duhet të reagojmë.

“Është koha e fundit, kur ne duhet ta kuptojmë rëndësinë e mbrojtjes së ambientit”, tha Haradinaj, duke shtuar se mungesa e hapësirave të gjelbra në vendet urbane dhe ndotja e ajrit, janë çështje që na shqetësojnë në vazhdimësi.

Kryeministri falënderoi me këtë rast Komisionin Europian dhe organizatat e tjera ndërkombëtare, të cilët në vazhdimësi kanë ndihmuar me fonde, donacione dhe grante, në projekte që i kushtohen ambientit dhe përmirësimit të tij.

“Miqtë tanë ndërkombëtarë na kanë ndihmuar, që të fillojmë jetën në kushte emergjente pas shkatërrimeve që kanë ndodhur në vitin ’99 dhe tani po vazhdojnë të na mbështesin në përmirësimin e ambientit”, nënvizoi Haradinaj.

Nga ana e saj, përfaqësuesja e posaçme e BE-së në Kosovë, Natalyia Apostolova, tha se resurset natyrore të Kosovës janë të limituara dhe duhet të shfrytëzohen në mënyrë të duhur.

“Kosova duhet të ndryshojë qasjen sa i përket mbrojtjes së ambientit. Zhvillimi i qëndrueshëm është pjesë e integrimit të Kosovës në BE”, tha Apostolova, duke shtuar se 50 milionë euro nga BE-ja janë investuar në projekte për mjedisin në këto dhjetë vitet e fundit.

Ndërsa ministrja e Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor, Albena Reshitaj, tha se është hera e parë që jo vetëm në Kosovë, por edhe në rajon, po organizohet një konferencë e tillë që i dedikohet mjedisit.

“Do të luftojmë me të gjitha forcat tona që të mos kemi këtë degradim të mjedisit dhe do të krijojmë një Kosovë, një mjedis që do të jetë shembull për rajonin”, tha ministrja Reshitaj.

Me një fjalë të pranishmëve iu drejtua edhe Ulrike Lunacek, ish-zëvendës presidente e Parlamentit Europian dhe ish-raportuese për Kosovën, e cila inkurajoi institucionet dhe aktorët e tjerë që të angazhohen për të përmirësuar gjendjen në ambient.

Pjesëmarrës të tjerë në këtë konferencë ishin edhe kryetarë komunash, ambasadorë të akredituar në Kosovë dhe ekspertë të mjedisit.

Konferenca njëjavore e Nivelit të lartë për zhvillim të qëndrueshëm organizohet nga Qeveria e Kosovës në bashkëpunim me Zyrën e BE-së në Kosovë dhe KOSID.

Për të ndikuar në përmirësimin e mjedisit në Kosovë, për herë të parë, krahas nismave legjislative dhe projekteve konkrete, qeverisja Haradinaj ka dhënë 10 milionë euro për menaxhimin e mbeturinave./k.s/

Sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”, i ndryshuar, ndalohet kopjimi, publikimi, shpërndarja dhe tjetërsimi pa cituar Agjencinë Telegrafike Shqiptare.
Artikulli paraprakShqipëria klimë të favorshme për investimet e huaja
Artikulli tjetërSOFT NEWS – Edhe pendët e peshkaqenëve konsiderohen… kontrabandë?